Arbëri

Nisma reagon për anulimin e konkursit për mësimdhënës në Prizren

Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren, të mërkurën, ka reaguar lidhur me anulimin e konkursit për rekrutimin e dhjetëra mësimdhënësve, që ishte shpallur në shkurt të këtij viti nga Komuna e Prizrenit.

Ky subjekt opozitar ka vlerësuar se ky veprim vetëm se e dëshmon edhe njëherë papërgjegjësinë e qeverisë komunale në raport me arsimin në Prizren.

Në anën tjetër në njoftimin e publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit thuhet se procedurat e rekrutimit për këtë konkurs janë anuluar në bazë të vendimit të kryetarit të Komunës.

Një gjë e tillë ka mjaftuar që dega e Nisma-s të konstatojë se LVV-ja e “ka humbur rrugën në oborr!”.

“NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren, po e përcjellë̈ me shqetësim dështimin e qeverisjes në Prizren, e cila është duke dëmtuar rëndë qytetin tonë në të gjitha sferat e përgjegjësisë që ka pushteti lokal. Ndërhyrja dhe anulimi i konkursit në DKA të cilën dje e bëri z. Mytaher Haskuka, tregon edhe njëherë papërgjegjësinë e madhe që kjo qeverisje ka në raport me arsimin në Prizren, i cili tashmë është̈ futur në kolaps nga ndërhyrjet e “komisarëve politik” të LVV-së, të cilët janë̈ duke degraduar çdo vlerë që ka qyteti i Prizrenit!”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Sipas Nismës, konkursi i hapur nga DKA-j në muajin shkurt dhe anulimi i tij në muajin qershor, kur edhe po përfundon viti shkollor, tregon për “shkeljet ligjore të radhës që po bëhen në Prizren”.

“Ndërhyrja dhe anulimi i konkursit për rekrutimin e punëtorëve të arsimit në prag të fillimit të vitit shkollorë 2019/20 i kishte kushtuar nxënësve të Prizrenit mijëra orë mësimi, vetëm pse nuk ishin pranuar “akrrabatë” e Mytës dhe disa militantë të LVV-së, të cilët nuk plotësonin as kriteret minimale për tu punësuar në arsim. Dëmi i madh që po i bëhet jo vetëm arsimit në Prizren nga kjo qeveri do ti kushtoj shtrenjtë qytetarëve të Prizrenit, të cilëve muaji tetor po i duket larg kur do ta dënojnë me votë këtë garniturë qeverisëse në Prizren”, thuhet në reagimin e Zyrës për Informim të degës së Nismës në Prizren.

Në anën tjetër në ueb faqen e Komunës së Prizrenit është publikuar njoftimi i Zyrës së Personelit për anulimin e këtij konkursi.

“Në bazë të Vendimit nr.01-111-88674 të Kryetarit të Komunës së Prizrenit anulohen procedurat e rekrutimit për konkursin me nr.RN00006258 të shpallur më datë 22.02.2021 për Mësimdhënës në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prizrenit”, thuhet në këtë njoftim. Por vendimi përkatës i kryetarit nuk është publikuar ende në këtë ueb faqe.

Komuna e Prizrenit në shkurt të këtij viti pati publikuar konkursin për 30 mësimdhënës, të lëndëve të ndryshme mësimore.