Arbëri

Fushë-Kosova e ndërron pronën komunale me biznesin që ndërtoi në tokë të saj

Komunarët e Fushë-Kosovës kanë bërë ndërrimin e pronës komunale me një biznes privat që e kishte ndërtuar një pjesë të objektit të tij në pronë komunale. Zyrtarët opozitarë në këtë komunë nuk e kanë kontestuar këtë, por mënyrën se si është proceduar kjo kërkesë.

Këshilltarët e Vetëvendosjes, ata të Iniciativës Qytetare dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se një kërkesë e tillë mund të bëhet vetëm kur ka interes publik dhe kur ajo bëhet nga kryetari i Komunës. E në rastin konkret, sipas tyre, është bërë nga biznesi privat.

Në ditën kur është votuar kjo çështje, kryesuesja e Kuvendit, Vjollca Konjusha, dhe nënkryetari i Komunës, Fadil Krasniqi, kanë kërkuar të mos bëhet fare debat, pasi, sipas tyre, ky ka përfunduar në një seancë të mëhershme. Megjithatë, kjo është lejuar pas insistimit të këshilltarëve të VV-së dhe IQ-së.

“Kjo pikë ka mbërritur në procedurë jo të rregullt. Personi nuk mund t’i bëjë kërkesë Kuvendit për ndërrim të pronës, ligji këtë ia lejon kryetarit. Jo pse unë nuk po dua, po kështu është ligji. Ju keni dashtë veç me u la para atij personi dhe me i thanë që na e kryem punën dhe ti bën çka të duash në Ministri. Për ndërrimin e pronës kërkesë mund të bëjë vetëm kryetari”, ka thënë këshilltari i IQ-së, Migjen Kolshi.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra.

“Kjo është arsyeja që po e kundërshtojmë. Ligji që ju keni referuar, neneve 24 e 25, thotë se vetëm kur është interes publik bëhet ndërrimi i pronës. Çka ka të keqe që me e sjellë kryetari? Ne e dimë që mund të bëhet gabim, po mos na sillni në këso situatash”, ka theksuar Hajra.

Pas këtij debati është hedhur në votim dhe kjo kërkesë për ndërrim të pronës komunale me atë private është miratuar.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR), Bekim Krasniqi, i ka thënë KOHËS se ndërrimi i pronës publike me atë private duhet të bëhet vetëm kur interesi është publik e jo ai privat.

“Komuna duhet të jetë shumë e kujdesshme në këto raste kur kërkohet prona komunale nga palët tjera. Në këto raste, duhet të bëhet një analizë e thukët dhe profesionale se cili është interesi publik. Pra, analiza ndihmon që të vërtetohet se a ka Komuna interes më të madh që të bëjë ndërrimin e pronës komunale me pronë private, apo s’ka interes. Nëse në një rast të caktuar është vetëm interesi privat dhe jo ai publik, atëherë Komuna s’ka pse ta ndërrojë pronën e vet”, është shprehur Bekim Krasniqi.

Ndërkohë, në kërkesën e kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, drejtuar kryesisë së Kuvendit dhe anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa askund nuk përmendet interesi publik.

“Pala, Hektor Beqiri ka parashtruar kërkesë me nr. 01-104/02-0012784/21 më datën 13.04.2021 për shqyrtimin e iniciativës së tij për ndërrimin e pronës në zonën kadastrale Harilaq, ku zhvillon biznesin e tij subjekti afarist sh.p.k. ‘Arbotec’ i cili një pjesë të objektit të tij-depo me administratë e ka ndërtuar në pronën e Komunës në sipërfaqe 281m2, të verifikuar pas incizimit gjeodezik të ngastrës kadastrale për procedurën e legalizimi”, thuhet në këtë kërkesë. “Sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale nr. 06/L-092, nenin 10, nenin 24 dhe nenin 25, me iniciativë e palës Hektor Beqiri, kryetari i Komunës i propozon Kuvendit të Komunës për shqyrtim kërkesën në fjalë, për ndërrimin e pronës së palës me nr. )-72514003-00779-4 me pronën komunale nr. P-72514003-00002-0 në zonën kadastrale Harilaq”.