Arbëri

Opozita në Pejë thotë se në ndërmarrjen e re do të punësohen militantët e partive në pushtet

Descriptive Text

Inicimi i procedurave për themelimin e një ndërmarrjeje të re për shërbime publike në Komunën e Pejës nga opozita është vlerësuar si përpjekje e partive në pushtet, LDK-së dhe PDK-së, për të punësuar militantët e tyre.

“Kjo është vetëm një arsye tjetër që komuna me i rehatua disa militantë të vet ose disa simpatizantë të tyre në bord dhe në ekzekutiv të asaj kompanie”, thotë Nazmi Krasniqi, këshilltar i AAK-së në Kuvendin Komunal të Pejës.

Ndërmarrja e re publike “Pastrimi”, sipas përshkrimit të detyrave dhe përgjegjësive, do të jetë shoqëri aksionare në pronësi 100 për qind të Komunës. Ajo do të mirëmbajë hapësirat publike, parqet, ndriçimin publik, kanalet e hapura atmosferike, objektet komunale, shkollat, ambulancat, larjen dhe fshirjen e rrugëve të qytetit, sigurimin fizik të objekteve komunale dhe dekorimin e qytetit për festa zyrtare.

Drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi, ka pohuar se në bazë të dispozitave ligjore për vetëqeverisje lokale, komuna, respektivisht drejtoria e saj, ka për obligim ofrimin e shërbimeve publike. Kjo ndërmarrje, që komuna planifikon ta themelojë, sipas saj, nuk është vetëfinancuese, por do të financohet nga arka komunale, konkretisht nga kodi për mallra dhe shërbime. “Aktualisht këta punëtorë janë duke i kryer këto shërbime, mirëpo nuk na e lejon ligji ngarkesën e një ndërmarrjeje me detyra të reja. Kështu që Komuna ka për qëllim të njëjtit punëtorë t’i angazhojë në ndërmarrjen e re dhe nuk kemi qëllimin e punësimeve të reja apo konkurseve të reja. Vetëm e ka qëllimin e koordinimit dhe në përputhje me ligjet të krijohet çdo ndërmarrje apo çdo veprimtari”, thotë Çeku-Kelmendi.

Por, të gjitha punët që parashihet t’i kryejë ndërmarrja e re, është duke i kryer qe dy vjet kompania e mbeturinave “Ambienti”, e cila gjithashtu është në pronësi të Komunës së Pejës me 100 për qind të aksioneve. Në kompaninë “Ambienti” disa nga shërbimet, nga viti 2010, kryhen nga punëtorët e angazhuar e që më parë kanë qenë staf teknik i Komunës. Shërbimet e tjera prej vitit 2016 janë tenderuar, porse operatori ka qenë i obliguar që t’i marrë në punë punëtorët e njëjtë.

Pas skadimit të kontratave në vitin 2019, Komuna ka vendosur që të mos i tenderojë më këto shërbime, dhe me vendim të Kuvendit Komunal, kompanisë “Ambienti” i kalohen këto shërbime bashkë me punëtorë, pagat e të cilëve i paguan Komuna.

Në kompaninë rajonale të mbeturinave “Ambienti”, Komuna i ka kaluar 290 punëtorë, që i kryejnë gjitha shërbimet që janë paraparë edhe me ndërmarrjen e re komunale. Drejtori i “Ambientit”, Nexhat Abdullahi, i tha KOHËS se themelimi i ndërmarrjes së re nuk e dëmton aspak kompaninë “Ambienti”.

“Nuk kemi pas kurrfarë përfitimi financiar, kështu që nuk na dëmton në atë aspekt. Ne veç i kemi bërë këto shërbime dhe mbikëqyrjen e punëve me njerëz të atyre ekipeve që i kanë, dhe ne veç kemi pas një angazhim shtesë me u marr me ata punëtorë, përndryshe asgjë tjetër s’kemi pasur”, thotë Abdullahi.

Meqenëse nuk ka pasur kurrfarë përfitimi si kompani nga shërbimi që i ka bërë komunës, në “Ambient” si duket mezi presin të lirohen nga gjithë ata punëtorë. “Mendimi im është se funksionalizimi i këtyre njësive në kuadër të komunave, kishte qenë më i mirë dhe unë besoj që do të funksionojë ma mirë”, thotë Abdullahi.

Buxheti mujor i përgjithshëm për krejt këta punëtorë, përfshirë pagat, tatimet, kontributet dhe obligimet e tjera, sipas Abdullahit kanë qenë 122 mijë euro.