Komuna e Gjilanit ka njoftuar se aktualisht janë 125 raste aktive me koronavirus, ndërsa një muaj më parë, ishin regjistruar 820. Kjo po cilësohet si rënie drastike e rasteve. Komuna njofton se që nga fillimi i pandemisë, në Gjilan janë testuar 20.740 persona, ku 6336 kanë rezultuar pozitivë, 6069 janë shëruar dhe 142 pacientë kanë vdekur.
Ndërkohë, gjatë konferencës për media, nënkryetari Ismajli ka mohuar disa zëra ku është thënë se për ata që e kanë kaluar COVID-19 do të ketë mbështetje financiare.
“Ky propozim ka ardhur nga opozita në Kuvend dhe është mbështetur edhe nga partitë e koalicionit. Por, deri sot i kemi 6336 qytetarë që e kanë kaluar virusin dhe është e pamundur që të ketë mbështetje financiare pasi kostoja do ta kalonte shumën 1 milion euro. Pra, nuk është i vërtet pohimi i dikujt”, tha Ismajli.
Ndryshe, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20740 mostra, 6336 kanë rezultuar pozitivë, 6069 janë shëruar, 142 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 125 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 29 dhe 100 mostra në pritje për rezultat.