Arbëri

Degradohet objekti i shkollës në Kovaçec i përuruar para shtatë muajsh

Shkolla fillore “Idriz Seferi” në fshatin Kovaçec të Komunës së Kaçanikut, megjithëse është përuruar në shtator të vitit të kaluar, ka nisur të degradohet si pasojë e lagështisë dhe punimeve jo cilësore.

Për këtë objekt, në të cilin ndjekin mësimin rreth 170 nxënës, Komuna e Kaçanikut ka shpenzuar mbi 232 mijë euro.

Në komunën e Kaçanikut kanë thënë se punimet kanë një garanci një vjet nga punëkryesi, andaj gjatë pushimit veror të nxënësve do të rinovohet.

Rreth gjendjes teknike të objektit kanë reaguar prindërit e nxënësve dhe subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje, dega në Kaçanik, me arsyetim se pas shtatë muajsh nga përurimi i objektit, ai është degraduar dhe po rrezikon shëndetin e fëmijëve.

Jeton Raka, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se qeverisja lokale e cilësonte këtë objekt si shkollën më moderne dhe bashkëkohore, por brenda një periudhe të shkurtër ajo është degraduar si pasojë e punimeve jo cilësore.

“Përkundër buxhetit të vogël të ndarë për investime kapitale, të cilat janë parakusht për zhvillimin e një vendi, investimet janë të vogla, të vonuara, të zvarritura për arsye të fushatave politike dhe kanë një cilësi shumë të dobët si rezultat i pazarllëqeve të pushtetit me operatorët ekonomikë nga grupet e interesit. Objekti i kësaj shkolle pas një kohe të shkurtër nga përurimi, është degraduar si pasojë e punimeve me cilësi të dobët. Pra, një ndër premtimet zgjedhore të vitit 2017 ishte edhe ndërtimi i shkollës së re në Kovaçec me sipërfaqe prej 968,59 m², e cila si kontratë është nënshkruar më 14.08.2017, në shumë prej 232.287,64 eurosh, me dy operator ekonomikë”, ka thënë Raka.

Sipas tij, operatorët ekonomikë paraprakisht morën një shumë të konsiderueshme të parave me qëllim që punimet të përfundonin për 24 muaj, por ato janë zvarritur.

“Kryetari i Komunës në vend që të kërkojë nga zyrtarët komunalë që operatorët e tillë të sanksionohen, ai kërkoi nga zyrtarët komunalë që njëri nga operatorët të shpërblehet edhe me 17.000 euro shtesë, pas shkëputjes së kontratës”, ka thënë Raka.

Ai ka sqaruar shkolla në këtë fshat ka nisur të shfrytëzohet në gjysmë të shtatorit të vitit 2020.

”Pra, kjo është shkolla ‘moderne dhe bashkëkohore’ siç e quan ekzekutivi komunal, njollat e lagështisë ndoshta edhe mund të fshihen, por lagështia mbetet aty, së bashku me nxënësit e gjorë që dikush ka bërë ‘pazarllëk’ në kurriz të shëndetit të tyre. Komuna duhet ta ruajë shëndetin e fëmijëve duke e rinovuar me urgjencë objektin”, ka thënë Raka.

Njëri nga prindërit e nxënësve në këtë fshat ka folur me kusht që të mos i publikohet identiteti. Sipas tij, është shqetësuese derisa objekti i ri i kësaj shkolle ka ardhur në një gjendje të tillë.

“Për neve prindërit është shqetësuese sepse po rrezikohet shëndeti i fëmijëve tanë nga lagështia dhe kundërmimi nga myku. Ne kërkojmë nga Komuna që ta rinovojë objektin në hapësirat e brendshme në mënyrë që fëmijët ta kenë një ambient më të pastër dhe më të sigurt”, ka thënë ky prind.

Ndërkohë, drejtori i Arsimit në Komunën e Kaçanikut, Zahir Doda, ka sqaruar se objekti është dëmtuar nga lagështia si pasojë e punimeve jo cilësore nga punëkryesi, mirëpo sipas tij së shpejti do ta angazhojnë operatorin për ra rinovuar atë, pasi që punimet kanë garanci një vit. “Është problem pjesa e korridorit dhe pjesa e banjave si pasojë e lagështisë. Nuk e dimë saktësisht se a është çështja e izolimit të dobët apo diçka tjetër. Prej fillimit ka qenë ky problem, por derisa të lirohen nxënësit nga shkolla nuk mund të intervenojmë aty. Pra, ne kemi intervenuar për ta pastruar, por për të intervenuar në renovim aktualisht nuk mundemi. Objekti është i ri, kurse kompania e ka një garanci një vjet për mirëmbajtje, megjithëse ka intervenuar një herë, por prapë ka probleme. Sidoqoftë do ta rregullojmë atë problem me shpresë që të mos përsëritët më”, është zotuar Doda.