Arbëri

Latifi: Vendimi i Qeverisë për kufizime, i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat

Descriptive Text

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë për kufizime shtesë për parandalimin e COVID-19, “është i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat”.

Latifi ka thënë se pas masave, humbjet pas investimeve në sektorin e bujqësisë janë të pashmangshme, duke shtuar se produktet e fermerëve janë të gatshme për treg.

“Vendimi i Qeverisë për kufizimet shtesë është i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat. Produktet e fermerëve tanë janë të gatshme për treg. Gjatë ditës kam marr shqetësimet e shumë prej tyre që tani në këtë kohë kanë produkte të gatshme për treg. Investimet në këtë sektor për të arritur deri te produktet finale janë të mëdha. Në mungesë të tregut, humbjet do të jenë të pashmangshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Latifi ka kërkuar që Rahoveci të trajtohet me kujdes për shkak se është trevë bujqësore dhe se sipas tij edhe vitin e kaluar ka pësuar humbje e fermerët nuk janë dëmshpërblyer.

“Situatë të njëjtë kemi pasur edhe vitin e kaluar, ku fermerët tanë janë dëmtuar dhe deri më tani nuk janë dëmshpërblyer, sikundër që nuk janë përfshirë në pakot e rimëkëmbjes ekonomike. Kërkojmë që masat kundër pandemisë të jenë në përputhje me specifikat e komunave, konkretisht Rahoveci si trevë bujqësore të trajtohet me kujdes”, ka shkruar më tej.