Arbëri

Fondi i Qeverisë i pamjaftueshëm për mbulimin e dëmeve nga vërshimet në Fushë-Kosovë

I pamjaftueshëm po del të jetë fondi i Qeverisë së Kosovës prej një milion eurosh për kompensimin e dëmeve nga vërshimet që ndodhën në fillim të muait janar në Komunën e Fushë-Kosovës. Këtë e ka thënë nënkryetari i Komunës, Fadil Krasniqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të këshilltarëve në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Këshilltari i PD-së, Ali Ismaili, ka pyetur se sa është shuma e dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet. Ndërsa, shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Durim Hajra, i ka pyetur komunarët se çfarë kanë bërë për këto vjet për të parandaluar vërshimet.

“Vërshimet që ndodhën në janar kanë shkaktuar dëme edhe në qytet, edhe në fshatrat që janë buzë lumenjve. Qe 20-30 vjet jetoni në Fushë-Kosovë, çka keni bërë ju që të parandaloni vërshimet, cilët janë hapat preventiv që keni ndërmarrë për t’i evituar vërshimet?”, ka pyetur Hajra.

Ndërsa, këshilltari nga radhët e LDK-së, Sabit Bullatovci, ka theksuar se lumenjtë po u bëjnë dëme të hatashme.

“Të gjitha bunaret e Miradisë së Epërme janë të helmuar. 7 ditë nuk kemi pas ujë për pije. Kërkoj nga komuna që të bëjë pastrimin e lumit Graçanka se e kanë uzurpuar banorët”, ka thënë ndër të tjera Bullatovci.

Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, ka thënë se janë të parët që kanë filluar pastrimin e lumenjve.

“Është e vërtetë se Fushë-Kosova ka qenë e përfshirë në këto vërshime. Dihet që janë disa lumenj e përroska që kalojnë këtu. Ne e kemi formuar komisionin dhe e kanë përfunduar punën me sukses. Fushë-Kosova ka qenë e para që ka bërë pastrimin e luemnjve. Nga bisedat që i kemi pasur me banorë është thënë se asnjëherë nuk ka pasur të reshura më të mëdha sesa këtë herë. Në momentin që të përmirësohet moti do të intervenojmë sërish”, ka theksuar Fadil Krasniqi.

Sipas tij, nga vërshimet që ndodhën në fillim të janarit janë shkaktuar 520 mijë euro dëme në ekonomi.

“Në bujqësi, në ferma janë 103 mijë euro dëme. Veturat që janë vërshuar nga uji në qytet, ne e kemi bërë vetëm evidentimin e tyre e që janë diku 86 vetura, por nuk e dimë vlerën e dëmeve, pasi atë e bëjnë kompanitë e sigurimeve, sepse sigurimin e pasurisë e bën vet qytetari dhe jo komuna. Por na i kemi regjistruar që ata të kërkojnë nga kompanitë e sigurimeve për dëmshpërblimin eventual”, është shprehur nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës. “Ne e kemi dërguar raportin në Qeveri, por Qeveria ka thënë që me 25 për qind me i kompensu. Por, me një milion nuk munden me i kompensu ato dëme. Por ne do të shohim se çka do të ndihmohen”.

Qeveria e Kosovës ka ndarë një milion euro për kompensimin e dëmeve nga vërshimet të cilat ndodhën javën e parë të janarit.

“Për këtë qëllim janë ndarë 1 milion euro që do të përdoren për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në objektet e banimit si pasojë e vërshimeve të javës së parë të janarit 2021. Ministria e Pushtetit Lokal do të caktojë kriteret për kompensim dhe do të themelojë komision ndërministror për verifikim, vlerësim dhe koordinim të procesit të ndarjes së mjeteve nëpër komuna. Sipas vendimit, dëmet në infrastrukturë do të mbulohen nga buxhetet komunale ndërsa dëmet në bujqësi do të kompensohen nga buxhetet komunale dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.