Arbëri

U flijua për bashkëluftëtarin, por ende i mungon busti në vendin e rënies Mervete Maksutajt

Në kujtimin e 22 vjetorit të rënies së dëshmores Mervete Maksutaj nga Oroberrda e Istogut, të premten shumë bashkëluftëtarë e familjarë të Mervetes vendosen kurora lulesh para përmendores së vogël të ngritur pak metra larg vendit të rënies së saj, në oborrin e Spitalit të Pejës.

Çdo vit kujtohet vepra e saj e ditës së 4 dhjetorit të vitit 1998, por ende që 20 vjet kësaj përmendore i mungon busti i saj që është dashtë të vendoset në vendin e lënë në atë bazament mermeri. Në pamundësi që vet ta bëjnë, familjarët e Mervetës kanë pritur gjitha këto vite që shteti ta vendos bustin.

“I falënderojë gjithë që morën pjesë edhe që e kujtojnë. Bashkëluftëtarët dhe gjithë tjerët, sesa vetë shteti që ishte dashtë më bë për këtë, pasi është në kompetenca. Edhe pse na edhe me dashtë nuk mundemi”, thotë Hide Krasniqi, motra e dëshmores Mervete Maksutaj.

Mervete Maksutaj ishte vrarë nga forcat policore, derisa ajo bashkë me bashkëluftëtarin e Brigadës 133 të UÇK-së, Besnik Shala nga Ozdrimi i Pejës, kishin shkuar me mision për ta nxjerr nga spitali bashkëluftëtarit të tyre të plagosur, Naim Lushi nga Qyshku i Pejës.

Para kësaj përmendore pa bustin e Mervetes, homazhe bënë edhe dy protagonistët e asaj dite, Besnik Shala dhe Naim Lushi, të cilët për KOHËN kanë rrëfyer për ngjarjen e ditës së 4 dhjetorit të vitit 1998, ditë e premte rreth orës 11.00, kur në hyrje të Spitalit të Pejës, i siguruar nga numër i madh i forcave serbe, shfaqen Besnik Shala dhe Myrvete Maksutaj.

Dy shokë lufte të UÇK-së, të celulave të para të Brigadës 133, e cila është themeluar pastaj zyrtarisht me 10 janar 1999, Myrvetja dhe Besniku shkelën në prag të spitalit me një mision: Lirimin e bashkëluftëtarit të tyre, Naim Lushi, i cili ishte plagosur rëndë me 13 nëntor në një përballej me armikun. Për shkak të shtatë plagëve në trup Naimi ishte “kontrabanduar” në spital, ku ai si pacient me gjitha ato plagë ka ra në sy të personelit mjekësor serb dhe është njoftuar policia, e cila e ka arrestuar atë dhe pastaj është ruajtur nga forcat e shumta serbe para dhomës së tij në korridor dhe jashtë spitalit.

“Në bazë të një plani operativ kemi ndërmarrë një aksion të rrezikshëm unë bashkë me Merveten për lirimin e Naimit. Kemi depërtuar deri në hyrjen e parë në objektin e spital, ku aty na ka ndaluar një polic serb dhe ka kërkuar nga ne të legjitimohem”, nis rrefimin Besnik Shala për ngjarjen e asaj dite.

Polici serb kishte insistuar ta kontrollonte Besnikun pasi kishte shfaqur dyshime se ka diçka në xhepa të xhaketës, ku dhe i kishte dy bomba dore Besniku, atëkohë 23 vjeçar. Polici kishte zgjatur dorën dhe e ka prek bombën mbi xhaketë dhe atëherë, pasi diktohen, siç tregon Besniku, mundësia e vetme ishte me nxjerrë bombën dhe me shpërthye. Por bombes i bllokohet siguresa dhe nuk ka shpërthyer kur e ka hedh. “U konfrontuam. Arritëm unë e Mervetja të ia marrim policit armën automatike kallashnikov. Mervetja e kishte me veti një revole dhe ka shti në policin, dhe pastaj kemi dal jashtë”, kujton Besniku ato çaste kur nisin shkëmbimin e zjarrit me forcat e shumta policore serbe. “E jo vetëm nga forcat policore gjuhej në drejtim tonin, por edhe personeli dhe pacientët serb në spital prej dritareve shtënin më arme dhe hidhnin gjësende nga lartë mbi neve derisa largoheshim nën shkëmbimin e zjarrit”, rrëfen Besniku çastet para se vritet Mervetja nga një plumb që e godet në kokë jo larg vendit ku gjendet përmendorja e saj pa bust.

Në atë moment Mervetja kishte ra për tokë e mbuluar nga gjaku që po i rrjedhtë nga koka, dhe në pamundësi që të bëjë gjë për të, Besniku ka vazhduar të gjuaj në drejtim të forcave serbe, ndërkohë që largohej nga vendi ku ishte ra Myrveti. Fati i tij ka qenë se automatiku që ia kishin marr policit serb, i kishte pas dy karikator të ngjitur njëri me tjetrin dhe siç tregon ai, ka pas mjaftë plumba që të gjuaj në forcat serbe dhe pastaj ka arritur të largohet deri ne objekti i spitalit të mushkërive dhe nga aty të fshihet pastaj në një objekt përcjellës të një shtëpie të zbrazët afër spitalit, ku ai është fshehur deri kur është errësuar dhe pastaj ka shkuar dhe ju ka bashkëngjitur shokëve në vendin ku i kishte lënë para se kishin nisur aksionin.

Lushi e dinte që jashtë me policinë po luftonin bashkëluftëtarët e tij

Në dhomën e tij, në katin e dytë mu mbi derën e hyrjes së vjetër të spitalit, që po sigurohej nga forcat policore, Naim Lushi ka dëgjuar luftën jashtë. Për aksionin ai ka pas njohuri që do të ndodh, pasi bashkëluftëtarja, Afërdita Zekaj, pavarësisht se kishte pas polic para derës së dhomës së Lushit, ajo kishte arritur të futet në dhomën e Lushit, e veshur si mjeke me mantel të bardhë dhe e kishte informuar atë se do të përpiqen që ta nxjerrin nga spitali, pasi ai pas operimit kishte nisur të forcohet.

“Që nga momenti i parë kur i kam dëgjuar të shtënat, e kam ditë që po ndodh një konfrontim mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. E kam ditë poashtu që qëllimi i atij konfrontimi jam unë pikërisht. Kur, janë ndalë krismat, kanë ardh një numër i madh i forcave serbe në dhomë dhe menjëherë kanë filluar maltretimet duke më pyet se kush janë këta që kanë ardh sot që më të nxjerrë ty prej këtuhi. Natyrisht unë nuk e kam pranua që dikush ka ardhur për mua të më nxjerrë”, thotë Lushi.

Atë kohë ai ka qenë i vetmi ushtarë i UÇK-së i shtrirë me plagë në këtë spital dhe nuk e ka ditur se kush ka ardh prej bashkëluftëtarëve të tij që ta marrin e as nuk ka ditur se kush është vrarë prej tyre. “Nuk e kam ditë se kush është vrarë. Deri në ditën e katërt të hetimeve në UDB. Më kanë marr në pyetje vazhdimisht dhe në ditën e katër ma kanë qit mbi tavolinë një fotografi ku shihej Mervetja e vrarë. Aty e kam kuptuar që paska qenë Merveti”, kujton Naimi çastin kur mëson se kush është vrarë nga brigada e tij, në përleshje të armatosur me policinë serbe e cila sipas Lushit ka qenë e egërsuar sepse ka pas të vrarë nga pjesëtarët e tyre atë ditë.

Naim Lushi tregon se më 13 nëntor të atij viti ishte plagosur rëndë në një betejë me forcat serbe. Meqenëse nuk kishte pasur ku tjetër të i nënshtrohet intervenimit urgjent kirurgjik, atë e kishin sjellë në spital, me pohimet se kau e ka therur me brirë në trup. “Paraprakisht shokët e njësitit e kishin organizuar sjelljen time në spital, përfshirë edhe kirurgët shqiptar në spital Hysen Mazrekaj dhe Ramë Salihaj, që më prisnin, të cilët i falënderoi shumë. Në hyrje të spitalit kur më kanë sjellë policia shumë nuk kanë shikuar, por pastaj është marrë vesh se jam i plagosur dhe mjekët serbë e kanë njoftuar policinë, e cila pastaj më ka vënë nën arrest dhe ka vendosur forca para dres së dhomës dhe ka shtuar sigurinë edhe para hyrjes së spitalit, ngase u zbulua se jam ushtar i UÇK-së”, tregon Lushaj kush e kishte spiunuar te policia.

Ditëve në vijim Lushit iu kishte shtuar persekutimi dhe pas tri jave në spital, policia e ka dërguar në stacionin policor në Pejë, që atëherë e quanin SUP. Në Pejë policia e ka mbajtur Lushin gati pesë muaj dhe pastaj e kanë dërguar në burgun e Dubravës. “Aty i kam shpëtuar masakrave të burgosurve shqiptarë nga forcat serbe nga 19 deri me 21 maj të vitit 1999. Nga aty më kanë dërguar në burgun e Nishit, e nga ku jam liruar në nëntor të vitit 2001”, kujton Naimi periudhën e jetës së tij në pritje të vdekjes prapa grilave. Rënia heroike e Mervetes, e aq me tepër që ka qenë femër, sipas Lushit zgjoi ndërgjegjen liridashëse të popullit dhe mijëra djem e vajza ju bashkëngjiten UÇK-se deri në çlirimin e plotë të vendit.