Cenim të parimit të ligjshmërisë dhe shkelje e afateve ligjore po konsiderohen nga zyrtarët opozitarë të Podujevës mosshqyrtimi i ankesave të qytetarëve për emërtimin e qindra rrugëve. Kuvendi Komunal i Podujevës më 4 shkurt 2015 e ka miratuar listën me emërtimin e 1184 rrugëve të territorit të Komunës së Podujevës dhe listën rezervë. Por, pas vendosjes së tabelave, jo të gjithë banorët ishin pajtuar me ato emërtime. 279 ankesa janë deponuar nga qytetarët. Por ato ende nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi Komunal. Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë, Bajram Ajeti, njëherësh edhe këshilltar komunal, ka thënë se e drejta e ankimimit është e garantuar me ligj e Kushtetutë. Ai e ka përfshirë në këtë proces edhe ish-kryetarin Agim Veliu dhe drejtorët komunalë për personalizim dhe subjektivizim të këtyre rrugëve.
“Për emërtimin e rrugëve të Komunës ka qenë një rregullore në të cilën komisioni ka qenë i obliguar ta respektojë. Komisioni ka mbaruar punën, por jo mirë, sepse kanë ndikuar Agim Veliu dhe drejtorë që të ndikojnë për personalizimin dhe subjektivizimin e shumë rrugëve. Pakënaqësia e qytetarëve ka qenë e madhe, gjë që dëshmohet me numrin e madh të ankesave. Ankesat nuk janë shqyrtuar për një kohë të gjatë, duke u shkelur edhe afatet ligjore, duke shkelur edhe parimin e ndershmërisë procedurale”, ka thënë Bajram Ajeti.
“Arsyetimi i Komunës është se gjoja komisioni e ka kryer punën dhe për të shqyrtuar ankesat duhet të kërkohet leja nga MAPL-ja, sepse nuk kanë paraparë fare komision të ankesave, që del sheshit arbitrarizmi i vendimmarrjes dhe cenimi i parimit të ligjshmërisë për të drejtën e ankimimit, por edhe marrjes së përgjigjes të garantuar me ligj e Kushtetutë”.
Ndërsa këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se kanë kërkuar disa herë që të formohet një komision për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve.
“Në drejtorinë përkatëse nga ana e qytetarëve janë dërguar një varg ankesash qe një kohë dhe ne kemi ngritur këtë shqetësim në kuvend, ku propozimi ynë që të ngrihet një komision nga ana e Kuvendit për shqyrtim të këtyre ankesave ka marrë përkrahje edhe nga ana e grupeve të tjera parlamentare. Shumë ankesa ka pasur për ndërrim të emërtimeve, por edhe për vënie të emrave të rrugëve pa mbajtur takime apo konsulta në lagjet përkatëse ku ka ankesa”, ka theksuar Rafet Llapashtica.
Sipas tij, Kuvendi duhet që sa ma parë ta ngrejë një komision për shqyrtim të këtyre ankesave.
“Është e papranueshme që aty ka ankesa qe disa vjet dhe janë pa u shqyrtuar ende. Ne si Parti Demokratike kemi kërkuar që në këtë seancë të futet në rend të ditës futja e ngritjes së këtij komisioni, por materiali për seancën e 30 tetorit ka ardhur dhe kjo pikë nuk ka hyrë si rend dite, edhe pse në seancën e fundit propozimi mori mbështetjen edhe të shefit të grupit parlamentar të LDK-së. Ne prapë qëndrojmë pranë kërkesës që ky komision sa ma parë të ngrihet”, është shprehur këshilltari i PDK-së.
Por zëdhënësi i Komunës, Bujar Gimolli, ka thënë se pa përfunduar projekti i vendosjes së emrave të rrugëve, sipas listës së parë të miratuar më 2015, dhe po ashtu edhe numrave nëpër shtëpi, nuk do të bëhet shqyrtimi i ankesave.
“Komuna e Podujevës, së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës kanë filluar realizimin e projektit për emërtimin e gjithsej 1184 rrugëve dhe vendosjen e 24221 numrave nëpër shtëpi në Komunën e Podujevës. Procesi i emërtimit ka ndodhur pas diskutimeve dhe në koordinim të plotë me komisionin komunal. Pas votimit të listës me të gjitha emërtimet nga Kuvendi i Komunës së Podujevës, zyrtarët përgjegjës kanë skanuar të gjitha rrugët sipas emërtimeve të reja dhe i gjithë procesi është digjitalizuar dhe është futur në sistemin përkatës”, është shprehur Bujar Gimolli.
Pas përfundimit të procesit, sipas tij, në Komunë kanë arritur 279 ankesa në lidhje me emërtimet e reja të rrugëve.
“Mirëpo këto ankesa ende nuk janë shqyrtuar për shkak se bazuar në legjislacionin në fuqi, Komuna nuk guxon të shqyrtojë ankesa përderisa procesi nuk ka përfunduar në tërësi. E në Komunën e Podujevës ky proces nuk ka përfunduar, sepse kompania e kontraktuar nga Komisioni Evropian, si sponsorizues i këtij projekti, nuk i ka përfunduar të gjitha obligimet për vendosjen e shtyllave, tabelave dhe numrave”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës. “Është caktuar takimi me përgjegjësit e Dejtorisë së Urbanizmit dhe Komisionit Evropian ku do të qartësohen obligimet e kontraktuesit dhe posa ky proces të shpallet i përfunduar, Komuna e Podujevës do ta ngrejë komisionin përkatës dhe do t’i shqyrtojë ankesat”.
Megjithatë, zyrtarët komunalë thonë se nuk do të ketë nevojë për debate të tjera, pasi edhe nëse miratohen ndryshimet emrat e rinj do të bëhen nga lista e pritjes që ishte miratuar në Kuvend bashkë me listën me emërtime më 2015.
Procesin e emërtimeve të rrugëve e kanë përcjellë probleme në vazhdimësi. Anëtarë të komisionit kishin thënë se nëpër shumicën e lokaliteteve propozimet e banorëve kishin të bënin me emra baballarësh e gjyshërish. Njësoj kishte vepruar edhe Agim Veliu, në kohën sa ishte kryetar i Komunës dhe vertësit e tij. Atëkohë për emrin e prindit të Veliut ishin bashkuar dy rrugë (“Liria” dhe “Lordi Bajron) për t’ia vënë Nuhi Gashi. Ndërsa, për prindin e Durim Salihut, që atëkohë ishte drejtor për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, ishte propozuar që rrugës që mban emrin e heroit Ilir Konushefci të emërtohej “Ramadan Salihu”.
Të dyja rrugët janë ngjitas me objektin e vjetër dhe atë ri të Komunës së Podujevës. Për rrugën “Nuhi Gashi” i është vendosur edhe tabela. Ndërsa e para ishte hequr pas raportimeve të “Kohës Ditore”.
Megjithatë, emri i Ramadan Salihut i ishte vënë “Rrugës së xhamisë”. Por, pak ditë e ka mbajtur këtë emër, pasi tabela ishte shkarravitur menjëherë, e cila pastaj edhe është hequr. Burime të gazetës thonë se një përpjekje të tillë e kishte bërë edhe Hamdi Jaha, atëkohë drejtor për Inspektorat e tash i Planifikimit Urban, Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili donte që një rrugë në fshatin Sfeçël të mbante emrin e prindit të tij dhe po ashtu në fshatin Llaushë dy rrugë të bartnin emrat e gjyshit dhe gjyshes te dajallarët, Avdyl Dushkolli e Bahtie Osmani. E para ishte hequr nga anëtarët e komisionit, ndërsa dy të tjerat vazhdojnë të kenë këta emra. Por, ajo që dukej më interesantja në këto emërtime ishte një rrugë në fshatin Bellopojë që quhet “Kadri H. Avdiu”, të dhëna personale të njëjta me ish-anëtarin e këtij komisioni, që atëkohë ishte edhe këshilltar komunal i PDK-së, Kadri Hajdar Avdiu. Në këtë rrugë banon edhe vetë Avdiu. Banorët e fshatit nuk e mbajnë mend se dikush nga kjo familje të ketë pasur emrin Kadri. Vetë Kadri Avdiu i kishte thënë gazetës në shtator të 2017-s të mos jetë personi emrin e të cilit e mban rruga në këtë fshat. Ai kishte thënë se Kadriu, emri i të cilit i është vënë rrugës, ka qenë i Hajrizit. Banorët kanë pasur vërejtje edhe për emërtime të tjera, si ai “Pusi i Zanës” në Bajçinë, etj.
Kuvendi Komunal i Podujevës më 4 shkurt 2015 e ka miratuar listën me emërtimin e 1184 rrugëve të territorit të Komunës së Podujevës dhe listën rezervë. Por, pas vendosjes së tabelave, jo të gjithë banorët ishin pajtuar me ato emërtime: 279 ankesa janë deponuar nga qytetarët