Komuna e Drenasit e ka quajtur “të pavend” identifikimin e Labinot Grudës me këtë komunë dhe përkatësinë partiake, PDK-në.
Gruda është arrestuar sot me dyshimin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit, transmeton KOHA.
Komuna e Drenasit ka konfirmuar se Gruda është ish-drejtor i Financave.
“Lajmi i sotëm, se ish zyrtar i Komunës së Drenasit, Labinot Gruda, është paraburgosur, na ka shqetësuar pa masë. E vërtetë se Gruda, ka qenë i emëruar drejtor i Drejtorisë për Buxhet e Financa, më 7.2.2018 dhe në këtë detyrë ka shërbyer deri më 14.11.2018. Largimi i tij, ashtu si emërimi i tij, në krye të departamentit është bërë publik. Arsyet e largimit të tij nga posti i drejtorit, edhe zyrtarisht ka qenë “për arsye personale””, thuhet në reagimin e kësaj komune.
“Avullohen” mbi 2 mln euro nga Thesari i shtetit, një i arrestuar
Tutje thuhet se, “fotografia e sotme e publikuar në media se z. Gruda është kuadër i PDK-së, duke u ilustruar me foton e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, është e pavend. Fotografia e tij krah kryetarit, është bërë gjatë dëgjimeve buxhetore me qytetarët, derisa z. Gruda ishte në krye të drejtorit të Drejtorisë për Buxhet e Financa”.
Komuna e Drenasit shton se Gruda është liruar nga posti i drejtorit me kërkesë të tij.
“Prandaj, identifikimi i tij me komunën e Drenasit dhe përkatësinë partiake është plotësisht e pavend. Angazhimi i tij në krye të Drejtorisë, ishte për arsye të përvojës, aspekteve profesionale dhe rekomandime për përvojën e tij në Ministri të Financave. Lirimi i Gruda është bërë me kërkesë të tij dhe është kthyer në Ministri të Financave. Nga kjo ditë, ai nuk ka pasur asnjë ndikim as qasje në Drejtorinë për Buxhet e Financa”, thotë Komuna e Drenasit.