Arbëri

Gjendet mjet i pashpërthyer në rrugën “Komandant Kumanova” në Lipjan

Afër shkollës së mesme "Adem Gllavica" në Lipjan, banorët kanë gjetur një mjet të pashpërthyer (granatë dore) e cila dyshohet se ka mbetur që nga koha e luftës.

Në vendin e ngjarjes, pikërisht në rrugë "Komandant Kumanova", ekipet e Policisë së Kosovës në Lipjan, kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërkohë ekipet e FSK-së kanë tërhequr mjetin e pashpërthyer.

Komandanti i Policisë së Kosovës në Lipjan, Bashkim Bytyqi, ka thënë për KOHËN se mjeti i pashpërthyer është marrë nga ekipet e FSK-së.

"Bëhet fjalë për një granatë dore e cila ka mbetur që nga lufta. Ajo është gjetur nga disa banorë derisa kishin filluar të punojnë diçka me eskavatorë. Policia menjëherë ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ndërkohë FSK-ja ka marrë me vete mjetin e pashpërthyer", ka thënë Bytyqi.