Kosovë

Rritet interesimi për produktet e Krushës

Rritet interesimi për produktet e Krushës

Kooperativa Bujqësore “Krusha”, ku punojnë dhjetëra gra të veja, burrat e të cilave u vranë në luftë, është në vlugun e punës këto ditë. Drejtoresha e kësaj kooperative, Fahrije Hoti, tregon se edhe këtë vit ka interesim për produktet e tyre. Përveç në tregun vendor, produktet e kooperativës si: ajvari, lakrat e trangujt e konservuar shiten edhe në 4 shtete evropiane, e së shpejti mund të depërtojnë edhe në tregun e SHBA-së.

I humbën më të dashurit e tyre në luftë, por nuk u dorëzuan dhe filluan punën për një jetë të re, ndonëse me plot sfida. Njëra nga to është edhe Ganimete Hoti, e cila pasi iu vra bashkëshorti, me punën e saj, arriti t’i rrisë e shkollojë tri vajzat. Si kjo nënë vetushqyese, ka edhe gra të tjera që prej vitesh punojnë në Kooperativën Bujqësore “Krusha”. Drejtoresha e kooperativës, Fahrije Hoti, tregoi për televizionin publik se puna në kooperativën që eksporton në katër shtete, edhe këtë vit po ecën mirë.