Arbëri

Mosrealizimi i një projekti të përzgjedhur pamundëson shtrimin e kalldrëmit në korzonë e Pejës

Kalldrëmi me të cilin është duke u shtruar pjesa qendrore e sheshit të qytetit të Pejës, në kuadër të projektit rindërtues të sheshit, nuk është paraparë të shtrohet edhe në rrugën e korzos.

Kjo rrugë madje nuk është e përfshirë në kuadër të këtij projekti të financuar nga arka komunale, në vlerë prej 519 mijë eurosh.

Aty nuk pritet të shtrohet kalldrëm edhe për një kohë.

“Janë probleme të shumta, njëra prej tyre është pronësore. Është bërë një ndërrim i cili e pamundëson tash komunën me veprua në atë pjesë të qytetit. Nuk është i rregulluar problemi i kanalizimit. Të gjitha dyqanet prej ish dyqanit që e njohin qytetarët qebaptorja ‘Te Lala’, e deri poshtë të ëmbëltorja ‘Bleta’, ujërat e zeza i derdhin në Lumëbardh”, ka thënë kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri.

Muhaxheri tha se largimi i kanalizimit të atyre lokaleve nga Lumëbardhi dhe kyçja e tyre në kanalizimin e qytetit është çështje prioritare, pastaj komuna, siç tha ai, do të vendosë të procedojë komplet projektin ideor të vitit 2012 apo vetëm pjesë-pjesë, raporton KOHA.

Shumica e pronave në atë pjesë përgjatë lumit janë private, komuna ka vetëm një parcelë të veten dhe disa prona aty janë edhe të Patrikanës, por siç tha Muhaxheri nuk ka probleme me Patrikanën pasi ajo, sipas tij, ka qenë e informuar nga fillimi për projektin.

Nëse vendoset të realizohet ky projekt, atëherë, siç tha Muhaxheri, pronarët duhet ta bashkëfinancojnë projektin.

KOHA ka kontaktuar disa prej pronarëve të lokaleve që shtrihen buzë Lumëbardhit në korzo, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë, përveç pronarit të një ëmbëltoreje.

Musa Abazi, pronar i një biznesi që shtrihet buzë Lumbardhit, ka thënë se nuk kanë qenë të kontaktuar nga komuna ndonjëherë, prej vitit 2012, kur komuna e ka përzgjedhur projektin ideor. Ai ka shtuar se ata janë të interesuar për investime në bizneset e tyre, por që komuna nuk u jep leje pronarëve, çka pohohet edhe në Drejtorinë e Urbanizmit.

“Normalisht secili ka dëshirë që ta rinovojë dyqanin apo ta ndërtojë të ri dyqanin, mirëpo nuk ka mundësi që t’i jepet një leje në atë pjesë të qytetit, sepse ekziston një plan, i cili duhet të realizohet”, ka thënë Rajan Arapi, drejtor i Urbanizmit.

Me projektin për ndërtimin e korzos, përveç inkorporimit të pronave private në të, parashihet edhe rrënimi i objekteve ekzistuese përgjatë lumit, ndërtimi i shëtitores dhe ndërtimi i objekteve të reja afariste njëkatëshe e gjysmë mes rrugës dhe shëtitores në korzo, e pastaj vjen kalldrëmi.