Arbëri

Ismajli: Në Shtime 16 të prekur me Covid-19, gjendja e të prekurve stabile

Kreu i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se numri i të prekurve me Covid-19 në këtë komunë është 16, derisa ka bërë të ditur se gjendja e tyre është stabile.

“Çështja i infektimit është një proces shumë i vështirë i parashikueshëm. Dy rastet e para të infektimit, njëri e ka pasur burimin në qytetin e Lipjanit porse familjen e ka pasur në Pjetërshticë, dhe tjetri në Bujinovc që burimin e ka pasur nga Ferizaj. Pra, të dy kontaktet kanë bërë që në Shtime ta kemi numrin 16 të prekur. Nga 15 të testuar ishte vetëm një pozitiv, të tjerët negativë”, ka thënë Ismajli. “Nëse edhe në fshatin tjetër nuk ka një zgjerim, atëherë do të mund të themi se është lokalizuar”.

Ai ka bërë të ditur se të prekurit kryesisht janë familjarë të ngushtë të të prekurve të parë.

“Kontakti i parë ka qenë vëllai i tyre, i cili ka lëvizë, sigurisht pa dije dhe gjatë vizitave tek nëna e ka bartë te pjesëtarët e familjes. Ata janë të moshave të ndryshme, por të gjithë e kanë gjendjen stabile. Përveç të moshuarës, që ka edhe probleme të tjera. Por, në të dy fshatrat familjet kanë gjendje stabile. Të sy këto janë shpallur vatra të infeksionit. Në momentin e parë që është identifikuar në familjen e parë, ne kemi kërkuar në MSH që fshati të futet në karantinë, gjithmonë me dëshirën për të lokalizuar rastin. Ne po i mbajmë në kontroll ato”, është shprehur ai.

Ismajli ka thënë se kanë vizita të rregullta përmes QKMF-së. Pastaj prej Shtabit Emergjent ofrohet ndihmë për gjërat ushqimore dhe pjesë të higjienës dhe Policia është aty për siguri por edhe të ketë koordinim të lëvizjes, dhe se masat po respektohen.

Ai shpreson që edhe rezultatet e nesërme të tregojnë numër të vogël të prekurve, që nënkupton se rastet janë lokalizuar.

“Ne kemi bërë listën komplete dhe gjysma e saj është trajtuar, dhe tashmë po presim që të trajtohet edhe pjesa tjetër. Do të ketë edhe testime të tjera, dhe aktualisht presim rezultatet e testeve, dhe nëse edhe rezultatet e nesërme janë kështu të ulëta atëherë do të thotë se shumë shpejt mund të shërohen edhe këta të prekurit”, ka thënë Ismajli.

Ai ka bërë të ditur se Komuna ka ndarë një pako prej 100 mijë eurove.

“Ne kemi ndarë një pako prej 100 mijë euro në tri drejtime. Pakoj për sigurimin e pajisjeve shëndetësore dhe mbrojtëse në mjekësi dhe medikamente, pastaj e dyta ishte pako ushqimore dhe higjienike për familjet të cilat janë dhe do të jenë në nevojë. Pra, kemi trefishuar që në kohë të rregullt janë përfitues. Dhe e treta ka qenë dezinfektimi i hapësirave publike, me qëllim të krijimit të ambienteve të pastra”, është shprehur Ismajli. “Në komunën tonë janë respektuar të gjitha masat edhe ato të Qeverisë, por edhe disa që janë përshtatur për ne dhe qytetarët kanë qenë shumë bashkëpunues”.

Tutje ai ka shtuar se ankesat e kryetarëve kanë qenë racionale se deri vonë nuk ka pasur komunikim të mirëfilltë me IKSHPK-në.

“Sikur të kishim informacione si kryetarë ne do të bënim izolimin. Realisht kemi mësuar nga të gjithë ato se duhet të jemi më sy qelë dhe duhet të jemi të informuar shumë shpejtë. Në komunën e Shtimes e kemi ndërtuar këtë me secilën lagje. E kemi ditur se a ka ardhur dikush nga jashtë, apo prej nga ka ardhur. E në bazën e të gjithë këtyre informatave QMF-ja e Policia ka vepruar. Sot kanë filluar mobilizimi edhe fshati për fshatin”, ka thënë Ismajli.