Një grua 62-vjeçare nga Dobratini i Graçanicës, llogaritej si serbja e parë e infektuar me koronavirus në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Ajo ishte paraqitur në Graçanicë me “simptoma të rënda” të koronavirusit dhe si pasojë e kësaj ishte përcjell për trajtim në Spitalin e Nishit.
Por, sot 20 ditë më pas, asaj dhe familjes së saj u është kërkuar falje nëse janë ndier keq për këtë, pasi u konstatua se nuk ishte prekur me Covid-19, shkruan VOA.
Pacientes i ishin bërë dy teste gjatë trajtimit, kishte dal negative, por mjekët kanë pasur rezerva në saktësinë e testeve, bazuar edhe në pasqyrën klinike të rëndë.
Pacientja nga Dobratini në shtëpinë tonë të shëndetit ka ardhur me gjendje të rënduar klinike, me të gjitha karakteristikat, si klinike ashtu edhe laboratorike. Ajo për shkak të simptomave, por edhe pasi kishte ardhur nga Çaçaku, që ishte vatër e koronavirusit, është trajtuar si paciente me Covid-19 dhe është transportuar në Nish”, ka thënë dr. Bratislav Laziq, mjek në Graçanicë.
Ai ka thënë se masat e rrepta të marra me të kanë pasur për qëllim që të shërohet ajo dhe të mbrohet familja e saj.
“Pacientja ka dal negative në test, por ishte në pyetje edhe sensitiviteti i testit. Do të ishte e papërgjegjshme nga ana jonë që derisa ka dilema diagnostikuese, të veprojmë në një mënyrë tjetër. Vetëm pas dy testeve finale, që dolën negative, vërtetuam se ajo është shëruar. Nëse familja ka pasur ndonjë problem me këtë, në i kërkojmë falje”, ka shtuar Laziq.
Në komunat me shumicë serbe, deri më tash janë 72 të infektuar, katër janë shëruar, ndërkohë dy të tjerë kanë vdekur si pasojë e Covid-19.