Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke komentuar rastin e parë të infektuar me koronavirus në komunën që ai drejton, ka tentuar të qetësojë qytetarët duke thënë se pacienti, edhe pse është me adresë nga kjo komunë, gjatë muajve të fundit nuk kishte fare kontakte me komunën tonë.
Lladrovci tha se ka kontaktuar me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadanin, i cili e ka informuar atë se një pacient nga komuna e Drenasit, është i infektuar me virusin covid-19.
“Njoftoj qytetarët e komunës së Drenasit se pacienti ka lindur në komunën tonë dhe me adresë është nga komuna jonë, por muajve të fundit, nuk ka qenë në shtëpinë e vet në komunën e Drenasit”, ka shkruar Lladrovci në një postim në Facebook.
Ai ka uruar që pacienti në fjalë, por edhe të gjithë të prekurit tjerë nga ky virus, të shërohen sa më shpejt dhe të mos ketë raste të reja të infektimit, ndërsa familjarëve të të infektuarit u ka kërkuar të ruajnë qetësinë dhe durimin “në përballjen e suksesshme me këtë virus”.
“Ne do të veprojmë sipas rekomandimeve të IKShP-së dhe institucioneve relevante, në bashkëpunim me Këshillin Emergjent Lokal dhe instancat tjera komunale, duke ndërmarrë të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, parandalimin dhe luftimin e virusit covid-19”, deklaroi Lladrovci.
Ndërkaq, në mesin e këtyre rasteve, u shënua edhe rasti i parë nga Komuna e Drenasit.