Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deçani e Istogu ndajnë 150 mijë euro për menaxhimin e situatës me Covid-19 dhe për familjet skamnore

Jo të gjitha familjet kanë pasur mundësi materiale të sigurojnë pak më tepër gjëra ushqimore në këtë situatë të rëndë të krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Në komunën e Deçanit, me dhjetëra familje që jetojnë vetëm nga skema sociale kanë drejtuar kërkesa Komunës për t’u dalë në ndihmë me artikuj ushqimor dhe materiale higjienik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për nevojat e këtyre familjeve por edhe për të plotësuar nevojat tjera në këtë situatë emergjente për parandalimin e virusit COVID-19, ekzekutivi i kësaj komune ka ndarë 100 mijë euro.

Ndarja e këtyre mjeteve është miratuar të enjten nga Kuvendi Komunal, në një seancë të jashtëzakonshme, e cila për shkak të sigurisë dhe zbatimit të largësisë sociale është mbajtur në sallën e amfiteatrit të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”.

Kryetari i kësaj Komunë, Bashkim Ramosaj, ka thënë se kjo shumë e ndarë nga kuvendi komunal do të hyjë në funksion të menaxhimit të situatës emergjent dhe do të kontribuojë për operimin e të gjithë akterëve relevant që janë në funksion.

Këto mjete, siç tha për Kohën, Izet Zenuni, shefi i shtabit emergjent të Komunës së Deçanit, janë ndarë për disa pozicione.

“Për familjet nevojtare, për Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare, për kompaninë e mbeturinave ‘Higjiena’, për blerje preparateve dezinfektuese, për pajisje mbrojtëse, maska rroba...”, tha Zenuni.

Nga këto mjete është planifikuar që të ndihmohen së paku 310 familje skamnore me pako ushqimore e higjienike në vlerë prej 30 euro.

“Listën e kemi përpiluar dhe në të janë 308 familje që do të ndihmohen. Ndërkohë janë duke u paraqitur edhe raste tjera për tu ndihmuar”, tha Zenuni, duke shtuar se deri tash janë ndihmuar nga donatorët me artikuj ushqimor 100 familje.

Ndërsa në Komunën e Istogut, siç njoftoi kjo komunë, janë ndarë 50 mijë euro, për t’iu dal në ndihmë familjeve në nevojë për furnizim me gjëra ushqimore dhe higjeno-sanitare.