Pushteti komunal në Gjilan është deklaruar se nuk do të lejohet shtrenjtimi i bukës kurse furrtarët do të furnizohen me sasi të mjaftueshme të miellit duke krijuar kështu edhe rezervat e tyre.
Komisioni Komunal Emergjent për parandalimin e koronavirusit ka zhvilluar një takim me furrtarët në hapësirat brenda kampusit të shkollave të mesme, ku palët kanë diskutuar për gjendjen e krijuar me pandeminë COVID-19.
Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka deklaruar se asnjë banor nga kjo komunë nuk ka rezultuar të jetë i prekur nga COVID-19 e cila është një rrethanë lehtësuese për punën e qeverisjes komunale.
Ai ka deklaruar se komuna ka krijuar lehtësira, meqë furrtarët do të furnizohen me miell nga operatorët tjerë ekonomik të cilët janë të interesuar që të kenë bashkëpunim dhe në këtë mënyrë do të krijohen edhe rezervat e mjaftueshme të miellit në çdo furrë.
Ismajli ka deklaruar se një pjesë e qytetarëve ishin tunduar nga situata e krijuar dhe qëndronin tek mullinjtë në radhë të gjata për të furnizuar me miell.
Ai ka thënë se gradualisht situata është duke shkuar drejt normalitetit në këtë aspekt.
“Detyra jonë është që të garantojmë qytetarin por edhe të iu garantojmë edhe juve që nuk do të keni problem me furnizim. Nga sot do të furnizoheni si furrtarë me miell nga operatorë që merren me këtë punë. Nuk e dimë sa do të zgjas kjo gjendje, ndoshta 1 muaj, mirëpo ajo që nuk dëshirojmë të dëgjojmë është që nuk po furnizoheni dhe përdorni rrugë tjera për furnizim me miell dhe nga 40 cent me ngrit çmimin në 50 cent. Sa i përket sasisë së furnizimit me miell duhet të jetë në suaza. Të keni rezerva të mjaftueshme të miellit me qëllim që të keni mundësi të përgatisni bukë për qytetarët. Sasinë nuk e caktojmë ne sepse kjo është në dorën e juve” ka thënë ai.
Kurse drejtoresha e zhvillimit ekonomik, Valbona Tahiri, ka kërkuar nga bizneset të cilat kanë të drejtë që të funksionojnë, që të mos shtrenjtojnë çmimet e produkteve ngase nëse realizojnë një gjë të tillë atëherë edhe do të ketë ndëshkime.
Kurse furrtarët në Gjilan janë ndarë të kënaqur nga zotimet e komunës se nuk do të ketë probleme sa i përket furnizimit me miell. Por edhe ata kanë sqaruar punën e tyre në gjendjen e krijuar si pasojë e COVID-19.
Maliq Kosumi deklaron se ka mbyllur dy lokalet e tij për shkak të gjendjes së krijuar, meqë punëtorët e tij kishin panik se ata do të prekeshin nga koronavirusi ashtu siç kishte ndodhur në komunat e tjera.
“Pozita e furrës Mala është jashtë qytetit dhe punojmë me lagjet që i kemi përball. Tek medreseja kemi mbyllur javën e kaluar dhe tek qendra tregtare njëkohësisht edhe atje kemi mbyllur dhe arsyet kanë qenë të ndryshme sepse kemi probleme me klasën punëtore sepse kanë fituar një panik. Dhe nuk kam dashur që të mbaj dikë afër vetës që ka panik. Dhe i kam liruar punëtorët” ka thënë ai. Ai ka deklaruar se furrtarët nuk janë duke bërë planifikimin e duhur në aspektin e prodhimit meqë janë duke prodhuar më shumë se që është e nevojshme.
“Kur po dal në mbrëmje po shoh që ka shumë mbetje të bukës dhe ajo është humbje. Është dëm i madh tërë natën me punu dhe mandej me hedh. Në këtë situatë që jemi nuk e shoh të arsyeshme me pas humbje të bukës. Po ashtu kërkoj nga kolegët që të vendoset një kriter. Shembull me punu prej orës 8 të mëngjesit deri në ora 3 të mesditës dhe në këtë mënyrë edhe qytetarët vetëdijesohen edhe për orarin e punës dhe nuk krijohet fluksi dhe njerëzit marrin bukët dhe ecin”, ka thënë Kosumi.