Arbëri

Situata aktuale me koronavirus nuk pritet t’i pengojë mbjelljet pranverore në Pejë

Në mijëra hektarë toka bujqësore në komunat e rajonit të Pejës por edhe në pjesët tjera të vendit, pritet gjallëri në muajin prill, kur pritet të fillojnë mbjelljet pranverore.

Megjithëse, aktualisht jeta goxha është kufizuar nga situata e krijuar dhe masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kjo situatë nuk pritet të ndikojë edhe në mbjelljet pranverore, ndonëse komuna e Klinës që katër ditë gjendet në izolim dhe me kufizim të lëvizjes së qytetarëve, shkaku i një rasti pozitiv të një shtetase italiane që ka punuar në një kamp të Caritasit italian në një fshat të Klinës, raporton KOHA.

Drejtori i Bujqësisë në Klinë, Naser Morina, tregoi për Kohën se aktualisht është në kontakt të vazhdueshëm me bujqit për mbjelljet pranverore që gjenden në prag dhe ai për këto mbjellje nuk beson që do të ketë ndonjë pengesë.

“Barnatoret bujqësore i kemi lënë hapur dhe janë duke funksionuar. Edhe po shpresojmë që nuk do ta kemi ndonjë problem për punët në fushë. Sa i përket përgatitjeve, për mbjelljet pranverore, jemi në kontakt të vazhdueshëm me bujqit dhe deri tash nuk na është paraqitur ndonjë fermer me ndonjë problem të veçantë. Kështu që me masat që i kemi aktualisht, nuk pengohen mbjelljet pranverore. Çka do të ndodhë në të ardhmen të shohim dhe ne jemi në vëzhgim të situatës me shtabin emergjent”, tha Morina.

Edhe drejtori i Bujqësisë në Pejë, Mehdi Mulaj nuk beson që situata nga pandemia e koronavirusit do të ketë ndonjë ndikim apo problem që mund të pengojë në mbjelljet pranverore.

“Edhe në Pejë barnatoret bujqësore janë të hapura dhe kanë furnizim me plehra dhe farëra. Të mbjellat pranverore pritet të nisin në prill dhe kjo situatë e paraqitur nga koronavirusi për momentin nuk duket që ka me shkaktua probleme për të kryer mbjelljet pranverore”, thotë Mulaj.

Sipas tij, edhe nëse situata përkeqësohet dhe ndalohet komplet dalja e njerëzve nga shtëpitë për një periudhë të caktuar, mbjelljet pranverore nuk mund të pengohen, pasi virusi nuk jeton në ajër dhe gjatë punimeve në fushë nuk mund të ketë afërsi mes njerëzve që mund të infektohet dikush prej dikujt.

“Nuk kam informatë që ndërlidhet me sektorin e bujqësisë që mos me mund me dalë në fushë me punua. Toka duhet gjithsesi të punohet dhe nëse punohet individualisht në fushë nuk mund të paraqet ndonjë rrezik. Nga fermerët çka mund të kërkohet është që të mos krijojnë tollovi në numër të madh në pikat grumbulluese”, thotë Mulaj.

As infektologu, Zenel Shatri, shef i repartit infektiv në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, nuk sheh ndonjë pengesë nga koronavirusi që mund të rrezikohen mbjelljet pranverore.

“Mbjelljet pranverore nuk janë të rrezikuara, pasi ato nuk marrin shumë njerëz në një fushë. Është e ndaluar mos me dalë në grupe, se nga një që del në fushë nuk ka ndonjë indikacion, edhe pse kjo është një sëmundje e re dhe gjitha sendet ende nuk dihet, pasi sot thonë një metër larg me qëndrua nga njëri tjetri, e nesër dy metra larg. Por në fusha nuk ka grumbullim të njerëzve dhe nuk ka ndonjë problem” thotë Shatri.