Arbëri

Familja kundërshton vendimin e gjykatës për t’ia paguar alimentacionin mbesës në vend të babait

Familja Pacolli nga fshati Sllovi i Lipjanit, ka mbetur e befasuar me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Velime Pacolli bashkë me katër djemtë e saj janë detyruar nga dega e kësaj gjykate në Lipjan t’ia paguajnë alimentacionin mbesës së tyre që nuk e kanë parë plot nëntë vjet, raporton KOHA.

Sipas vendimit të Gjykatës, familjarët obligohen që t’ia paguajnë mbesës dhjetëvjeçare ushqyeshmërinë 200 euro në muaj.

Nëna e vajzës, Arbenita Ahmeti, ka paditur familjen e ish-bashkëshortit të saj, Xhevdetit, meqë ky i fundit në mungesë të mjeteve financiare nuk arriti të zbatojë vendimin e gjykatës, i cili e obligonte atë t’ia paguajë vajzës së tij alimentacionin.

Pacolli është ndarë nga bashkëshortja dhjetë vjet më parë, dhe sipas familjes së tij ai aktualisht ndodhet në Gjermani.

Por, avokati i Arbenita Ahmetit, Xhevat Bici, thotë se padinë e bëri duke u bazuar në ligjin për familjen.

Megjithatë, neni 332 i Ligjit për Familjen nuk e specifikon se cilët anëtarë të tjerë të familjes janë të obliguar të paguajnë alimentacionin në rastin kur këtë nuk mund ta bëjë prindi.

Por, sipas interpretimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në këtë rast Gjykata ka vendosur sipas radhës së trashëgimisë në familje.

Për detaje rreth vendimit të Gjykatës dhe bazës ligjore për të, KOHA ka një javë që ka pyetur Gjykatën Themelore në Prishtinë, por nuk ka marrë një përgjigje.