Banorët e një kompleksi banesor në rrugën “Isa Olluri” në qytetin e Lipjanit po vazhdojnë të ankohen derisa një biznes privat po tenton të fillojë punën në pjesën e lokaleve pa leje nga organet kompetente.
Sipas banorëve ky biznes merret me ngjyrosje të automjeteve, andaj duhet të merret leje e veçantë nga ministria e Ambientit. Pak ditë më parë inspektorati i komunës ia ka ndaluar punimet shkaku i mungesës së dokumentacioneve, ndërkohë banorët po ankohen se punimet po vazhdojnë gjatë orëve të vona të natës duke i dëmtuar shenjat zyrtare të inspektoratit.
Ky biznes pa ndonjë leje nga komuna ka ndryshuar pamjen e jashtme dhe të brendshme, madje ka rrënuar edhe mure të objektit.
Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në komunën e Lipjanit ka thënë se ka pranuar ankesa nga banorët, andaj do të merren masa më të ashpra ndaj këtij biznesi pasi që komuna nuk i ka lëshuar ndonjë leje të punës, madje sipas Rrustemit ky biznes që tenton të punon me kimikale dhe ngjyrosje të veturave duhet të marrë leje të veçantë nga ministria e Ambientit.
Sipas tij, në këtë mënyrë ky biznes po bën shkelje të rëndë sepse dëmtimi i shenjave zyrtare është vepër penale.
“Para pak ditësh inspektorati ia ka ndërprerë punimet dhe ia ka vendosur shiritat këtij biznesi i cili fillimisht ka dëmtuar pronën publike, trotuarin dhe parkingun para hyrjes së vetë. Mirëpo, ne sërish do të merremi me këtë rast pasi që banorët po ankohen sepse ai biznes nuk ka të drejtë të punoi asgjë derisa ne ia kemi vendosur shiritat. Dëmtimi i shenjave zyrtare është vepër penale”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, pas ankesave të banorëve inspektorët edhe gjatë së enjtes në mbrëmje kanë dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo pronarët e biznesit kanë ikur nga lokali. Sipas tij, ky biznes duhet ta rikthejë në gjendjen e më hershme pronën publike pranë lokalit.