Arbëri

KQZ: Nesër shorti për renditjen e kandidatëve për zgjedhjet në Podujevë

Foto: Koha / ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të hënën bëhet tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjen e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës, të cilat do të mbahen më 15 mars.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike është paraparë të mbahet më 2 mars dhe se janë ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike, të cilët janë certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, transmeton KTV.

Sa i përket fushatës zgjedhore, Elezi bëri të ditur se nga data 3 deri më 13 mars, kandidatët kanë mundësi të zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës do të mbahen, pasi kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ka dhënë dorëheqje nga ajo pozitë për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme.