Bjeshkët e Deçanit, terren i vështirë për turistë

Besiana Dauti 26 February 2020 13:59

Bjeshkët e Deçanit janë të mjaft të njohura në Kosovë, por jo të gjithë e kanë mundësinë për t’u ngjitur në majat e tyre.

Kjo, për shkak të vështirësive që krijohen në stinën e dimrit.

Turistët që e duan skijimin, mund ta shijojnë këtë sport për më shumë se 3 muaj në mbi 10 bjeshkët e Deçanit të cilat kufizohen me Shqipërinë dhe Malin e Zi, raporton emisioni SOT në KTV.

Për të shkuar në Bjeshkën e Belegut gjatë kësaj periudhe, nevojiten motor-skitë, e disa prej banorëve të kësaj ane, tashmë janë pajisur me këto mjete dhe çdo fundjavë marrin rrugën për të shijuar pamjen e këtyre bjeshkëve.

Besnik Hulaj është banor i Deçanit, i cili kohën e lirë e kalon në bjeshkët e kësaj ane. Ai tregon vështirësitë për të shkuar në pjesën turistike të Belegut.

Në periudhën e dimrit ka më pak vizitorë. E gjatë verës, pos banorëve të kësaj ane, shtohet numri i turistëve edhe nga vendet e huaja.

Besniku nuk vjen i vetëm në bjeshkë. Shoqëruesi i tij i përhershëm është Tarzan Qufaj, i cili thotë se investimet në këtë pjesë duhet të shtohen, pasi që sipas tij, nuk ka bjeshkë më të bukura se këto të Deçanit.

Bashkë me ta, është edhe Fetah Jashari nga Kumanova, i cili tregon se bukuritë natyrore të kësaj ane e kanë shtyrë atë të vijë më shpesh nga Maqedonia për në Deçan.

Komuna e Deçanit, bjeshkët i konsideron si pasuri natyrore, e për këtë, komuna ka nisur punën për një projekt për të cilin shpreson që ta realizojë së shpejti, e që synim ka rritjen e numrit të turistëve për në këtë pjesë.

Ai thotë se potencialet dhe resurset e kësaj ane deri tani nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, e që kjo deri tani ka qenë e pamundur të bëhet për shkak të problemeve pronësore që ka komuna me Manastirin e Deçanit.

Përfundimi i rrugës ka qenë premtim edhe i qeverive, por që ka mbetur pa u realizuar, për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të manastirit.

Deri në asfaltim të rrugës, shkuarja në këto bjeshkë do të vazhdojë të jetë e vështirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme