Komuna i ka paditur 23 prindër në Kamenicë, që i detyruan fëmijët në bojkot të mësimit

Leonita Bajrami 11 February 2020 20:21

Drejtorë shkollash, asamblistë në Kuvendin komunal të Kamenicës e zyrtarë të tjerë publikë janë paditur nga Komuna, sepse ua kanë ndalur fëmijëve të tyre vijimin e mësimit.

Afrim Dervishi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, është njëri nga prindërit që Drejtoria e Arsimit e Komunës së Kamenicës e ka paditur, raporton KTV.

Ai thotë se ende nuk ka pranuar ndonjë shkresë, megjithatë kjo padi ka të bëjë me kundërshtimin e reformës në arsim në këtë komunë.

Por masat ligjore ndaj tij nuk ia kanë ndryshuar qëndrimin kundër reformës në arsim.

Afrim Dervishi, që është edhe mësimdhënës në shkollën “Abdullah Krashnica – Presheva” në fshatin Koretin, e nuk është i vetmi që është paditur nga Komuna e Kamenicës.

Janë edhe 22 prind të tjerë të cilëve u është ngritur padi për arsyen se fëmijët e tyre nuk e vijojnë mësimin për më shumë se dy javë.

Sipas kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati fillimisht janë paditur prindërit që mbajnë poste publike.

Megjithëkëtë, disa prej shkollave tashmë kanë hyrë në javën e katërt të bojkotit të mësimit, si kundërshtim i reformës në arsim të filluar nga Qëndron Kastrati.

Ndërkaq sipas Ligjit për arsimin parauniversitar, që është i detyrueshëm, neni 15, pika 4 thotë që prindërit konsiderohet se kanë shkelur ligjin në rast se pa ndonjë arsye nuk regjistrojnë fëmijët në shkollë, nëse ata nuk vijojnë shkollimin ose e ndërpresin shkollimin e detyruar dhe nëse mungesa është rezultat i veprimit të paramenduar ose i neglizhencës së prindërve.

Në raste të tilla, Komuna gjithashtu duhet ta njoftojë Ministrinë me shkrim për veprimet e prindërve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme