Ditën e djeshme, një mësimdhënës i gjimnazit “Eqrem Çabej” në Komunën e Vushtrrisë u arrestua nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht dy nga nxënëset e tij.
Mësimdhënësi i identifikuar si Hysen Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje, rezulton të ketë qenë anëtar i kësaj partie.
LVV ka reaguar ndaj kësaj ngjarjeje, duke thënë se rasti është adresuar në Komisionin Disiplinor në kuadër të Lëvizjes, me kërkesë të kryetarit të Qendrës, Besim Muzaqi, raporton Koha.net.
Ndërkaq, Komisioni Disiplinor ka marrë vendim që “Hysen Ademi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, t’i pezullohet statusi i anëtarit” në parti.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar ndërsa ka ftuar organet e drejtësisë që t’i zhvillojnë hetimet dhe ka kërkuar që ky rast të zbardhet sa më parë.
Rasti ka ndodhur të premten e javës së shkuar në objektin e gjimnazit. Për rastin, drejtori i shkollës është njoftuar të hënën nga vetë vajza dhe prindi i saj.
Të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orëve. Të martën, Drejtoria e Arsimit në Vushtrri ka marrë vendim për suspendim të përkohshëm të profesorit.