Muhaxheri synon edhe një mandat në Pejë

Muhaxheri synon edhe një mandat në Pejë

21 January 2020 21:13

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është shprehur se synon edhe mandatin e tretë në krye të kësaj komune.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se duhet të vazhdojë me projektet e nisura.

Ai nuk ka pranuar më të japë premtime se kur do të përfundojë Qendra Rekreative e Boresë, duke shtuar se është mësuar me kalimin e kohës se s’bën të jepen premtime për afate kohore.

Sipas tij, aktualisht janë duke u bërë shpime të tokës për të parë fortësinë për të ecur tutje me projektin.

“Jemi si komunë në fazën përfundimtare të shpronësimit të parcelave private, që i kemi diku edhe 11 parcela. E kemi obligim si komunë të shpronësojmë deri në maj të këtij viti. Kur po sheh që me paratë tua s’po arrin të realizosh diçka në afate kohore, e me angazhime të tjerëve është edhe më vështirë. S’po them kur, veç do të bëhet. ‘T’u pa t’u bo’”, ka deklaruar ai.

Për projektin e Boresë ka thënë se është në garë vetëm me xhaxhanë e tij “për t’i treguar se nipi ia doli”.

“Besoj se do të synoj edhe një mandat. E kam thënë se Borenë s’jam në garë me askënd. Jam në garë me dikë tjetër për të mbaruar Borenë. Shpresoj të ketë ymër ai e presë dhe të përfundojë e mandej të diskutoj me kë jam në garë. Jam në garë me xhaxhain tim, Ymer Muhaxherin, për t’i treguar që nipi e bëri. E kam trashëguar një zotësi, Ymer Muhaxheri është kujdesur për familjen për 80 vjet, unë jam duke bë garë që qytetit të Pejës t’i siguroj të ardhmen një jetë të dinjitetshme që të mos lakmojnë të shkojnë diku tjetër, por të jenë zot në shtëpinë e vet. Dua ta ngris nivelin”, ka shtuar ai.

Muhaxheri ka thënë se nuk pret që të ketë kandidat tjetër në LDK për qytetin e Pejës.

Për projektet e radhës ka shtuar se janë parqet e mëdha, shtimi i vlerës te stacioni i autobusëve, ndërsa si projektin më të madh e ka cilësuar rregullimin e shtratit të Lumëbardhit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme