Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” nga Ferizaj, si monitorues i disa komunave të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të premten, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, dhe të drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Goran Marinkoviq, derisa Gjykata Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për keqpërdorim të parasë publike dhe për largimin e 51 punëtorëve nga puna pa bazë ligjore.
Sipas kësaj OJQ-je, të pandehurit Dejanoviq dhe Marinkoviq në vitin 2018 me dashje për shkak të bindjeve politike ua kanë mohuar të dëmtuarve të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligjin e punës, shkruan sot Koha Ditore.
“Organizata jonë ka ngritur zërin se Komuna e Kllokotit është duke shkelur ligjet dhe udhëzimet administrative dhe nuk është llogaridhënëse. Zyrtarët e këtij institucioni kanë keqpërdorur paranë publike, ka mosmenaxhim të mirë të parasë publike dhe po ashtu ka nxjerrë edhe veprime që janë hasur në shkelje ligjore. Pra, kjo ka rezultuar me aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq dhe ndaj drejtorit të Arsimit, Goran Marinkoviq, se kanë larguar në mënyrë kolektive 51 të punësuar. Këtë çështje e ka gjetur edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, andaj ne kërkojmë dorëheqjen e tyre nga këto pozita publike”, thuhet, midis të tjerash, në komunikatën e kësaj OJQ-je.
Ndërkaq në aktakuzën ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, dhe drejtorit të Arsimit, Goran Marinkoviq, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, midis të tjerash, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në 2018-n, në Komunën e Kllokotit, të pandehurit, me dashje dhe me qëllim, për shkak të bindjeve të tyre politike, ua kanë mohuar të dëmtuarve të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligjin e punës, në atë mënyrë për shkak se të dëmtuarit nuk kanë pasur bindje të njëjta politike me të pandehurin Bozhidar Dejanoviq dhe Goran Marinkoviq dhe kanë përkrahur një subjekt tjetër.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.