Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i është përgjigjur Shaqir Totajt të PDK-së, që sot kërkoi nga i pari i Prizrenit të shkarkojë drejtorët me aktakuza.
Sot Totaj tha se Haskuka “pas dështimeve për më pak se dy vjet qeverisje, duhet seriozisht ta shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryetarit”.
Tani, në një shkrim të gjatë në Facebook me titullin: “Analet e një qyteti të kapur: (3) Bashkimi për reklamë të falimentuar”, Haskuka e ka quajtur Totajn keqpërdorues të detyrës e parasë publike.
Titulli mund ta varrosë Bashkimin njëjtë si Pejën
“Gjatë fushatës zgjedhore për kryetar komune, kundër-kandidati Shaqir Totaj bënte reklamë që është kontabilist dhe menaxher i mirë duke aluduar për KB Bashkimin. Por pasi që fitova zgjedhjet ndër takimet e para që i kisha me klubet sportive ishte takimi me kryesinë e KB Bashkimit, ku Shaqir Totaj kërkoi nga unë që komuna të paguante një pjesë të borxhit ngase ata ishin në gjendje të keqe financiare, në mënyrë që të mund ta vazhdonin kampionatin. Menjëherë në koordinim me Drejtorinë bëmë pagesën dhe KB Bashkimi vazhdoi kampionatin dhe u bë kampion. Derisa ne planifikonim investime në qendrën sportive ashtu që Bashkimi të garonte në ligat evropiane, disa javë më vonë kuptova që Shaqir Totaj kishte dhënë dorëheqje nga klubi Bashkimi. Në momentin kur kishte dhënë dorëheqje, ai e kishte lënë klubin me shumë borxhe dhe asnjë kontratë me basketbollistë. Pra një kampion, dy javë pas fitores nuk kishte asnjë basketbollist në ekip ngase shumë prej tyre nuk ishin paguar dhe ata kishin ikur duke hapur padi të ndryshme”, ka shkruar Haskuka në Facebook.
Haskuka po ashtu ka thënë se kryesia e re e Bashkimit, pas largimit të Totajt, kishte parë se borxhi i trashëguar ishte pesëfish më i madh se që kishte thënë vetë Totaj.
“Sipas komunikatës së KB Bashkimi të datës 13.06.2019, Shaqir Totaj kur kishte dhënë dorëheqje kishte deklaruar që borxhi që ai kishte lënë është rreth 40,000 euro. Por pas analizës së kryesisë së re të KB Bashkimi, është parë se borxhi i trashëguar është gjithsej 221,041 Euro. Pra më shumë se pesëfishi i deklaruar në mbledhjen e Kuvendit nga ish kryetari Totaj. Borxhi që Totaj ka lënë janë kategorizuar në këto në tri kategori: 1. Borxhi ndaj bizneseve private = 80,670 Euro, 2. Borxhi ndaj lojtarëve (përfshirë dënimet e BAT) = 84,828 Euro, 3. Borxhi ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) = 55,543 Euro”, ka vazhduar Haskuka.
I pari i Prizrenit ka thënë se për reklamën e Shaqir Totajt, PDK-ja “kishte falimentuar KB Bashkimin”.
“Por ky borxh prej 221,041 eurosh nuk ishte totali ngase sot e kësaj dite paditë e bëra në kohën e Totajt janë duke ardhur në KB Bashkimi në formë të vendimeve të gjykatave dhe të përmbaruesve. Pra për reklamën e Shaqir Totajt, PDK-ja kishte falimentuar KB Bashkimin”, ka thënë tutje ai.
Haskuka ka deklaruar po ashtu se Totaj ishte kryetar i Bashkimit edhe pse ishte menaxher i ATK-së dhe “duke e keqpërdorur detyrën e tij, nuk i kishte paguar obligimet tatimore ndaj ATK-së, obligime këto që me vite ishin rritur dhe kishin kapur shumën prej 55,543 Euro. Për këtë arsye ATK-ja kishte bllokuar xhirollogarinë e klubit Bashkimi”.
Më tej, Haskuka ka thënë se i kishte dërguar disa pyetje në qershor, por kurrë s’ka marrë përgjigje.
“Pra ky keqpërdorues i detyrës dhe i parasë publike e kishte lënë Bashkimin të falimentojë me borxhe, dënime dhe gjykata e që të ketë probleme sot e kësaj dite. Prandaj unë me datën 15.06.2019 i pata dërguar këto pyetje por ai kurrë nuk arriti t’iu përgjigjej: -Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj ATK-së? - A nuk është keqpërdorim detyre me qenë drejtor i ATK-së, e mos t’i paguash obligimet me vite të tëra? - Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj Trustit Pensional? - Kur erdhe në shkurt të vitit të kaluar të kërkosh mbështetje për ta vazhduar kampionatin, a i aporovuam 80,000.00 Euro? - Ku shkuan këto fonde? Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj lojtarëve? - Pse e ke lënë KB Bashkimin pa asnjë kontratë e pa lojtarë? - A të kanë bojkotuar "Arpagjikt" dhe shikuesit? - Pse kërkove që t'i ftoj tifozët në ndeshjen finale? - Pse tash ATK-ja po e bllokon xhirollogarinë e KB Bashkimit?”
Sipas Haskukës, “po të ishte një shtet normal, sot Shaqir Totaj do të ishte i dënuar, e jo të dilte në konferenca për media. Prandaj akuzat e Shaqirit nuk kanë bazë morale ngase ai përfaqëson keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e qeverisjes së kaluar”.
“Për më pak se një vit ne arritëm të shpëtojmë KB Bashkimin nga falimentimi, paguam borxhe e dënime, i paguam tatimet ndaj ATK-së dhe sot e kësaj dite paguajmë dënimet nga gjykimet e kohës së Shaqirit. Me rëndësi është që një vlere të qytetit i është kthyer dinjiteti, ia kemi kthyer shkollat e basketbollit dhe po i kthehet perspektiva. Çdo pengesë do ta tejkalojmë, çdo bllokadë do ta zhbllokojmë, Shaqat i kemi lënë pas, ngase Prizreni ka treguar guximin dhe e meriton më të mirën”, ka përfunduar Haskuka.