Kosovë

Vetëvendosje në Podujevë kundër kamerave të sigurisë në rrethrrotullimin e shqiponjës

Vetëvendosje në Podujevë kundër kamerave të sigurisë në rrethrrotullimin e shqiponjës
Foto: Ilustrim
 

Podujevë/Prishtinë, 6 dhjetor - Të papranueshme po e konsideron Lëvizja Vetëvendosje caktimin e një pike për vendosjen e kamerës së sigurisë. Në këtë projekt, që ka për qëllim vendosjen e kamerave të sigurisë në qytetin e Podujevës, është paraparë vendosja e një shtylle edhe në rrethrrotullimin ku qëndron përmendorja e shqiponjës (për ndërtimin e së cilës idenë e kishte dhënë këshilltari i VV, Florent Hasani). Kjo po kundërshtohet nga zyrtarët e VV-së. Kryetari i qendrës së kësaj partie në Podujevë, Bajram Ajeti, që është edhe këshilltar komunal, ka thënë se nëse provohet të vendoset një shtyllë e tillë në këtë rrethrrotullim, do të ketë edhe protesta.

“E kemi marrë një informatë se shefi i Urbanizmit ka paraparë që në rrethrrotullimin e shqiponjës afër hotelit ‘Besiana’ të vendoset një shtyllë mu afër saj për kamerat e sigurisë. Ju kisha lutur që të mos vendoset në rrethrrotullimin e shqiponjës. Ju kisha lutur që të mos prekni aty, sepse do të përballeni edhe me protesta. Ka mundësi të vendoset diku tjetër ajo shtyllë dhe jo në rrethrrotullim”, ka thënë Bajram Ajeti gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal, shkruan sot Koha Ditore.