Arbëri

Këshilli i prindërve kërkon rinovimin e objektit të shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj

Këshilli i prindërve dhe stafi mësimor i shkollës “Gjon Serreçi” kanë kërkuar riparimin e objektit me urgjencë.

Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të prindërve në Ferizaj, ka thënë se objektet e tjera shkollore janë në gjendje më të mirë teknike pasi që në shumë raste po investojnë vetë prindërit, ndërkaq në këtë shkollë gjendja është e rëndë, shkruan sot Koha Ditore.

“Komuna duhet të intervenojë për rinovimin e banjave në shkollën “Gjon Serreçi” pasi që kundërmimi është mjaft i përhapur. Po ashtu, duhet të bëhen edhe disa riparime të tjera dhe duhet të kontraktohet edhe ndonjë kompani me kapacitete më të mëdha për mirëmbajtjen e objekteve shkollore, sepse kompania aktuale nuk po arrin të intervenojë në të gjitha objektet shkollore. Pra, në bazë të takimeve që kemi me këshillat e shkollave një nga kërkesat e tyre janë rregullimi i banjave të shkollave, sepse është një problem i përditshëm”, ka bërë me dije Islami.

Sipas tij, Këshilli i Prindërve në nivel komunal po angazhohet që në takimet e radhës t’i bëjë presion më shumë Drejtorisë Komunale të Arsimit për ta përmirësuar gjendjen teknike nëpër objektet e vjetruara shkollore. “Ne jemi të shqetësuar me këtë gjendje teknike të disa objekteve, por veçanërisht në shkollën “Gjon Serreçi”, andaj institucionet përkatëse duhet të merren me këto probleme”, ka sqaruar Islami.

 (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)