Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas bojkotimit të mësimit, përmirësohen kushtet në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj

Pas bojkotimit të mësimit dhe shqetësimeve të ngritura nga prindërit e nxënësve në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj, autoritetet Komunale kanë shqyrtuar kërkesat e tyre dhe e kanë zgjidhur problemin.

Kërkesat e prindërve ishin se në këtë objekt janë kushtet e dobëta për procesin mësimor, pastaj hapësirat e ngushta dhe zhvillimi i mësimit në disa objekte të tjera, ndërkohë që nga e hëna, 2100 nxënës të kësaj shkolla kanë nisur mësimin në një objekt, derisa hapësirat janë zgjeruar duke ua marrë një pjesë të objektit shkollës së mjekësisë.

Nxënësit e shkollës së mjekësisë tashmë janë vendosur në një pjesë të objektit të shkollës “Shaban Hashani”. Drejtori i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj ka thënë se deri tash nxënësit e tyre kanë mësuar në tri objekte të ndryshme shkaku i mungesës së hapësirës, kurse që nga sot ata po e zhvillojnë mësimin bashkërisht.

“Janë liruar hapësirat nga shkolla e mjekësisë dhe tash 2100 nxënës i kemi sjell në një objekt dhe tani e kemi më lehtë që t’i menaxhojmë. Komuna i ka pranuar gjatë vikendit shqetësimet tona dhe ka arritur të bën zgjidhje”, ka thënë Heda.

Në anën tjetër nëpërmjet një komunikate Komuna ka njoftuar se është bërë zgjidhje për orarin e mësimit të nxënësve të shkollës "Gjon Serreçi".

“Si rezultat i pakënaqësisë së prindërve me orarin e mësimit në shkollën ‘Gjon Serreçi’, dështimit të ofrimit të zgjidhjes nga menaxhmenti i shkollës, ditëve të fundit, në Drejtorinë e Arsimit, u paraqitën një grup prindërish të nxënësve të shkollës ‘Gjon Serreçi’, me kërkesën e rregullimit të orarit të mësimit dhe kalimit në një pjesë të objektit ku mbante mësim shkolla e mesme e mjekësisë ‘Elena Gjika’. Kjo çështje ndonëse tërësisht e brendshme e që do të duhej të merrte zgjidhje nga drejtuesit e shkollës ‘Gjon Serreçi’, megjithatë pas adresimit në Drejtori të Arsimit, kjo e fundit duke u përfshirë drejtpërdrejt ofroi zgjidhjen, duke mundësuar kalimin e paraleleve të caktuara në objektin ku aktualisht po e shfrytëzon Shkolla e Mesme e Mjekësisë ‘Elena Gjika’”, thuhet në komunikatën e Komunës.

Edhe Bojkotohet mësimi në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj Arbëri Bojkotohet mësimi në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj

Komuna ka kërkuar nga drejtoritë përkatëse të shkollave që të tregohen të përgjegjshme në garantimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor.