Arbëri

Protestë në Gjakovë kundër shitjes së disa pronave nga AKP-ja që qytetarët thonë se janë private

Sërish me anë të protestës së qytetarëve të Gjakovës, është kundërshtuar shitja e parcelave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në maj të këtij viti, AKP-ja kishte vendosur që t’i shesë rreth 9 hektarë tokë në zonën e quajtur “Orize”, që gjendet në afërsi të fshatit Meje të Gjakovës, raporton KTV.

Për ta kundërshtuar këtë vendim ka dalë edhe Mithat Spahija, i cili insiston se kjo pronë i përket familjes së tij.

Sipas tij, ai posedon dokumentacion të rregullt se prona është e tij, derisa për ta mbrojtur pronën ai ka angazhuar edhe përfaqësues ligjor.

E të padrejtë po e quajnë vendimin e AKP-së, qytetarët që morën pjesë në këtë protestë.

E nga AKP-ja, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se vetëm pronat shoqërore vihen në shitje dhe se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka vendosur gjithmonë në favor të AKP-së.

“Në lidhje me këtë rast, ju informojmë që pretenduesit kanë parashtruar kërkesë në procedurë të likuidimit, e cila kërkesë është refuzuar nga Autoriteti i Likuidimit i kësaj ndërmarrje. Gjithashtu, me datë 16.04.2019 nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DhPGjS) është pranuar njoftimi për padi dhe kërkesë për masë të përkohshme, ndërsa kjo Gjykatë me datë 13.06.2019, ka refuzuar kërkesën e palëve për vendosjen e masës së përkohshme. Me datë 04 korrik 2019, pala paditëse ka ushtruar ankesë ndaj aktvendimit të DhPGjS, ku Kolegji i Apelit të DhPGjS me datë 09 gusht 2019 ka refuzuar ankesën e paditësve si të pabazuar. Për sa i përket pretendimit të palës që nuk është njoftuar në shitje, AKP ka bërë publike për të gjithë opinionin publik shitjen e aseteve ku njoftimi ka dalë në ueb-faqe, gazeta e media të tjera dhe në rrjete sociale si dhe në TV”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Ndërsa, Gjykata Supreme e ka refuzuar masën e sigurisë të kërkuar nga qytetarët, ndërkaq ende nuk ka vendosur për ankesën në tërësi.

“Deri më tani, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka vendosur vetëm për kërkesën për masën e sigurisë. Kërkesa për masën e sigurisë është refuzuar me aktvendim të Kolegjit të Specializuar në shkallën e parë gjyqësore dhe të njëjtin aktvendim e ka vërtetuar edhe Kolegji i Ankesave në shkallën e dytë gjyqësore”, ka thënë Gjykata Supreme.