Kërkohet hetimi i ofertës për ekskursionin e nxënësve

Kërkohet hetimi i ofertës për ekskursionin e nxënësve

Agim Ademi Agim Ademi 29 October 2019 13:31

Rreth një mijë maturantë të shkollave të mesme nga Komuna e Lipjanit po qëndrojnë në një ekskursion pesëditor në Shqipëri. Kompanitë transportuese dhe subjektet opozitare PDK e AAK kanë kërkuar nisjen e hetimeve rreth çështjes së ofertave.

Komuna në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollave prej gjashtë vjetësh kontraktojnë kompaninë “Besiana” nga Podujeva, me çmime më të larta sesa kompanitë e Lipjanit.

Pronarët e kompanive transportuese në Lipjan kanë thënë se në ekskursione me nxënës përfitojnë pushtetarët, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit. Miran Fejzullahu, pronar i një kompanie, ka thënë se për këtë ekskursion ka ofruar çmim prej 74 eurosh, ndërkaq udhëheqësit e shkollave e kanë përzgjedhur kompaninë “Besiana” me 80 euro, shkruan sot Koha Ditore.

“Drejtori me këtë kompani i kanë përfitimet e veta, sepse cilado kompani tjetër që oferton prapë se prapë kompania “Besiana” nga Podujeva e fiton tenderin për ekskursion. Është shqetësuese se si kjo kompani prej 6 vjetësh po e merr këtë tender, megjithëse ne po konkurrojmë me çmime më të lira dhe me kushte më të mira. Kësaj radhe kemi ofertuar me çmime më të lira disa kompani shumë serioze, madje edhe kompanitë më të forta në nivel të vendit që bartin udhëtarë nëpër Evropë, ndërkaq drejtorët e shkollave kanë thënë se nuk jemi seriozë dhe jemi eliminuar. Prandaj, kjo çështje duhet të hetohet”, ka thënë Fejzullahu.

Sipas tij, të gjitha hotelet në Shqipëri kanë një çmim prej rreth 40 eurosh për një nxënës në kuadër të të cilit futet edhe ushqimi, pastaj 20 euro kushton transporti për një nxënës dhe nuk ka asnjë shpenzim tjetër. Rrjedhimisht, sipas tij, çmimi i ofruar nga kompania nga Podujeva është i lartë.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme