Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kursi fetar në Podujevë vepron pa leje të Komunës e të BIK-ut

Gjendet vetëm pak metra larg qendrës së Bashkësisë Islame të Kosovës në Podujevë, e veprimtaria e këtij institucioni lidhet ngushtë me atë BIK-ut.

Kjo shoqatë e ashtuquajtur “Burimi i Arsimit” kishte publikuar njoftime për kurse të mësimeve islame për të rinjtë e qytetit, raporton KTV.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim nga Komuna e Podujevës kanë thënë se kjo shoqatë nuk është e pajisur me leje për këtë veprimtari, derisa ishte përdorur edhe si konvikt, por pa leje.

“Objekti në fjalë vepron në kuadër të një Organizate Joqeveritare, derisa ideja fillestare e pronarit ka qenë që objekti të përdoret edhe si konvikt, por asnjëherë i njëjti nuk është pajisur me leje të tillë. Për herë të fundit udhëheqësi i OJQ-së në fjalë ka aplikuar në Komunën e Podujevës, për leje që të ofrojë kurse për të rinjtë deri në moshën 18-vjeçare, mirëpo kjo leje nuk i është lëshuar. Pra, nuk kanë asnjë leje”, ka thënë Nazmi Elezi, shef i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës.

Kritika për veprimtarinë e shoqatës kanë edhe nga zyra qendrore e BIK-ut në Podujevë.

Sipas tyre, e drejta për ligjërime fetare duhet t’iu takojë institucioneve që bashkëpunojnë me Bashkësinë Islame dhe jo organizatave të ndryshme.

Derisa të dyshimtë veprimtarinë e kësaj organizate e cilëson edhe rrjeti i OJQ-ve në Podujevë.

Edhe Predikuesi islamik nga Bosnja dëbohet nga Kosova Arbëri Predikuesi islamik nga Bosnja dëbohet nga Kosova

“Jemi kundër që një institucion fetar të veprojë ilegalisht pasi mendojmë se përgjegjëse për jetën fetare në Komunën e Podujevës është Këshilli i Bashkësisë Islame dhe çdo tendencë që jashtë Bashkësisë Islame të flitet për çështje fetare, duke keqpërdorur fëmijët, duhet të ndalohet menjëherë dhe të hetohet prapavija e kësaj tendence”, ka thënë Shemsi Jashari - Drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare

Drejtori i këtij instituti nuk ka pranuar të prononcohet para kamerave derisa mbrapa tyre i ka thënë televizionit se lejen e kanë siguruar nga Ministria e Administratës Publike dhe se për veprimtarinë e tyre nuk kanë nevojë për leje, as nga komuna, e as nga BIK-u.

Tutje, nga kjo organizatë, i kanë thënë televizionit se aktualisht e kanë ndërprerë çdo aktivitet, derisa kanë shtuar se financimi dhe udhëheqja e kësaj organizate bëhet nga një shtetas turk.