Arbëri

Fermerët e Istogut duan që Komuna t`ua kompensojë dëmet nga breshri

Hektarë të tërë të mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore vetëm në fshatin Zabllaq të Komunës së Istogut janë dëmtuar në fillim të muajit qershor nga breshri.

Dëmet e shkaktuara para tre muajve as që janë vlerësuar ndërkohë nga Komuna as nuk u është ndarë një cent i vetëm fermerëve të dëmtuar. Njëri prej fermerëve që kishte pësuar dëme të mëdha nga ai breshër ka qenë Driton Mehmetaj nga fshati Zabllaq, shkruan sot Koha Ditore.

Atij breshëri atë ditë i kishte shkaktuar dëme në tre hektarë misër, në 20 arë speca, në 30 arë bostan, në fidanë të lakrës, në ushqim të bagëtisë... Dëmi më i madh nga breshri e ka prekur atë në fidanë të lakrës, pasi, sipas tij, me shitje të lakrës edhe i ka të hyrat kryesore për familje gjatë tërë vitit. Për mbjelljen e atyre fidanëve, në të cilat kishte investuar një mijë euro, kanë qenë dy hektarë tokë të punuar e të përgatitur.

Por për gjitha këto humbje ai nuk ka marrë asgjë nga Komuna në formë të ndihmës, as ai e as bashkëfshatarët e tjerë të tij, të cilët në këtë fshat e kanë bujqësinë prioritet të mbijetesës. Në këtë fshat janë rreth 30 shtëpi, por tokat janë të shumta dhe krejt me të mbjella. Vetëm me misër në tërë fshatin janë dëmtuar atë ditë nga breshri rreth 100 hektarë dhe dhjetëra hektarë të tjerë të mbjella me kultura tjera bujqësore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)