Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka akuzuar qeverisjen lokale për mosmbikëqyrje të ndërmarrjes publike të ujësjellësit “Bifurkacioni”. Sipas këtij subjekti, zyrtarët e e Ujësjellësit prej kohësh po e shpërfillin orarin e punës. Sipas LDK-së, udhëheqësit e kësaj ndërmarrjeje arrijnë në vendin e punës në orën 13:00 dhe punojnë vetëm tri orë në ditë.
Sipas këtij subjekti, edhe disa zyrtarë financiarë dhe menaxherë të kësaj ndërmarrjeje shpeshherë gjatë orarit të punës i frekuentojnë kafenetë e qytetit. Gëzim Kokollari, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, nëpërmjet një reagimi ka akuzuar udhëheqësit dhe stafin e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni”për mosrespektim të orarit të punës, ndërkaq Komunën e Ferizajt për mosmbikëqyrje, shkruan sot Koha Ditore.
“Prej fillimit te mandatit kemi reaguar për parregullsitë që po ndodhin në këtë kompani duke u nisur prej emërimeve politike dhe punësimeve të kundërligjshme. Ndërkaq prej kohësh disa nga zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje nuk po e respektojnë orarin e punës, madje drejtori i tyre arrin në punë prej orës 13:00 pasdite, dhe del nga puna në ora 16:00. Kjo po ndodh në baza ditore. Po ashtu edhe zyrtarët financiarë dhe menaxherët shpeshherë po e shpërfillin orarin e punës dhe kjo po na shqetëson të gjithëve”, ka thënë Kokollari.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)