Arbëri

Uji në Kamenicë është i kontaminuar, Instituti i Shëndetit Publik del me rekomandime

Foto: Driton Paçarada / Koha

Pas marrjes së informatës për dyshimin për kontaminimin e ujit në një pjesë të ujësjellësit të Komunës së Kamenicës, të menaxhuar nga KRU “Hidromorava” , Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, njofton se pos kontrollit të rregullt dhe monitorimit të ujit për pije, më datë 24 gusht 2019 ka dalë në terren dhe ka marrë menjëherë mostrat e ujit të cilat janë analizuar në laboratoret e këtij Instituti.

Në aspektin kimik, sipas Institutit, analizat rezultojnë kontaminim kimik me tejkalim të vlerave të amoniakut, nitriteve dhe manganit si rezultat i përzierjes së ujërave të ndotura dhe depërtimi i tyre në bunaret e hapura të cilat marrin ujë me drenazhim nga lumi Krivareka. Stacioni 1 ka 3 shpime të thella të mbyllura dhe 4 bunare të hapura.

“Në bazë të analizave kimike uji i pijes nuk i plotëson kushtet të përdoret si ujë për pije sipas standardeve të parapara me rregulloren për cilësinë e ujit për pije, UA 16/2012”, thuhet në njoftim.

Instituti Kombëtar më 24 gusht 2019 ka rekomanduar:

1. KRU “Hidromorava” të ndërpritet prodhimi i ujit nga pusi në lagjen Malësia, stacioni i pompimit nr.1. dhe sa më shpejtë të normalizohet prodhimin e ujit nga pusi i kontaminuar

2. Deri në normalizimin e prodhimit të ujit, të bëhet furnizimi me ujë nga cisternat për këtë pjesë të qytetit të Kamenicës.

3. KRU “Hidromorava” të vazhdojë kontrollin e ujit të pijes në tërë territorin e komunës së Kamenicës dhe të përforcojë kontrollin

4. KRU “Hidromorava” të pastrojë rezervuarët dhe rrjetin e shpërndarjes me tretje hiperklorike dhe

5. Kompania duhet rregullisht të dezinfektojë ujin, ta ngritë vigjilencën dhe

mbrojtjen për siguri të resursit të ujit duke krijuar zonë të rreptë mbrojtëse sipas Ligjeve dhe rregulloreve të MMPH.

6. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgatitje të ushqimit.

IKSHPK thotë se do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale duke ofruar mbështetje profesionale dhe bashkëpunim në vazhdimësi me KRU “Hidromorava”.

“Me këto rekomandime kemi parandaluar ndonjë shpërthim eventual hidrik me përmasa të pakontrolluara. Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të pasojë me rekomandime të reja”, thuhet në njoftim.