Zyra kombëtare e auditimit gjen shkelje të shumta gjatë qeverisjes më 2018 në Skenderaj

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 26 May 2019 22:15

Shkelje të shumta në tenderë e mangësi në menaxhim të kontratave, e kanë përcjellë gjatë vitit 2018, qeverisjen në Komunën e Skenderajt.

Zyra kombëtare e auditimit, në raportet e fundit që ka publikuar, ka zbuluar se komuna e Skenderajt ka pasur shkelje të shumta në tenderë dhe në menaxhim të kontratave.

Komuna e cila udhëhiqet nga Bekim Jashari, kandidat i pavarur, ka bërë shkelje në tri faza të prokurimit: planifikim, vlerësim i ofertave si dhe menaxhim i kontratave.

Në raportin e auditorit tregohet edhe një konkluzion i përgjithshëm mbi qeverisjen e komunës të cilën e fitoi PDK-ja dhe përkrahu kandidatin e pavarur në zgjedhjet e fundit.

“Ekziston një numër i dobësive të qeverisjes brenda Komunës, veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial. Procesi i dobët për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të vitit paraprak, mungesa e proceseve monitoruese për menaxhimin e rrezikut dhe kontrollet e dobëta mbi shpenzimet dhe të hyrat, janë disa nga dobësitë e identifikuara në qeverisje”, thuhet në këtë raport.

Ndërkaq, aty përmendet edhe dhënia e një kontrate pa i përmbushur të gjitha kriteret.

Komuna e Skenderajt kishte vendosur disa kritere për dhënie të kontratës për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve për Kuvendin Komunal, drejtorinë e Arsimit, Qendrën kryesore mjekësore dhe atë Sociale, por kriteret më pas ishin anashkaluar.

Zyra e auditorit gjeti mangësi të menaxhimit të kontratave në tri raste, si dhe në investimet kapitale.

Mosrespektim të ligjit, ZKA-ja gjeti edhe në procedurat e prokurimit, ku në shtatë procedura të prokurimit të mallrave e shërbimeve dhe gjashtë të investimeve kapitale, mungonte njoftimi për nënshkrimin e kontratës.

Kohavisioni ka pyetur Zyrën e kryetarit të Skenderajt lidhur me këto mangësi gjatë qeverisjes, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

https://www.youtube.com/watch?v=xT7XEiqbgS4&feature=youtu.be&fbclid=IwAR0W1_eRjxtgG_K58EA2dr7JrQJ-_3s6991QrEE6fBTzUCIZrHGEWtrt_tw

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme