Arbëri

Gjashtë fshatra të Gjakovës kundër gurthyesit në Kusar

Banorët e fshatrave Kusar, Dol, Pjetërshan, Lipovec, Raçë, Moglicë të Komunës së Gjakovës sot protestuan në afërsi të Shpellës së Kusarit kundër dëmtimit të pyjeve nga gurthyesit.

Ata thanë se zona e Kusarit dhe Bjeshkët e Pashtrikut janë zona të mbrojtura të natyrës, por eksplatuesit ilegalë gurthyesit kanë filluar gërmimet e maleve deri në shkatërrim

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Komuna e Gjakovës, që doli kundër gurëthyesit në fshatin Kusar.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se edhe ai është i shqetësuar lidhur me trajtimin e zonës përreth Shpellës së Kusarëve.

Gjini tha se i është drejtuar me kërkesë zyrtare ministres së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ministrit të Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si dhe kryeministrit Haradinaj që të ndalojnë eksploatimin dhe bluarjen e gurit gëlqeror në fshatin Kusar.

“Komuna e Gjakovës praktikisht nuk jep leje për veprimtari të tilla dhe me anë të asaj shkrese ne kemi kërkuar që të revokohet ajo leje e cila ka ndodhur pa dijenin time. Komuna gjatë këtij viti parasheh që të investojë në këtë zonë dhe ta kthejë në pikë turistike. Ne kemi tenderuar dhe po ndërtojmë shtigjet për hapjen e shpellave në fshatin Kusar, gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës jemi duke ndërtuar rrugën për tek ‘Maja e Kunorës’, një tjetër zonë turistike e komunës së Gjakovës”, deklaroi Gjini.

Ai ka lutur operatorët dhe qytetarët që njoftimet që lëshon Komuna e Gjakovës të mos i përdorin si leje sepse ato nuk janë të tilla./KosovaPress/