Arbëri

Prej vitesh zvarritet projekti i QMF-së për fshatrat e Ferizajt

Prej më shumë se tre vjetësh zvarritet ndërtimi i objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Dardani të Ferizajt, në të cilin është planifikuar të marrin shërbime edhe banorët e fshatit Zllatarë dhe Mirosalë.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se për shkak të borxheve të trashëguara nga ish- qeverisja e kaluar, ky projekt është zvarritur deri tashti, mirëpo pritet që brenda një të ardhmeje të afërt të finalizohet i gjithë projekti, i cili do të ofrojë shërbime mjekësore për rreth 12 mijë banorë të kësaj pjese të Komunës. Ky objekt i nisur me buxhet vetjak të Komunës, në vlerë prej rreth 200 mijë eurosh, ishte planifikuar që të ketë staf mjekësor profesional, pastaj ordinancë stomatologjike, laborator për analiza dhe një varg shërbimesh të tjera, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo, zvarritja e këtij projekti ka nxitur reagimet e banorëve të kësaj pjese të Komunës, me arsyetimin se po udhëtojnë 20 kilometra deri në qytet për të marrë një shërbim mjekësor.

Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, njëherësh këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se prej më shumë se tre vjetësh është vënë guri themeltar i QMF-së në fshatin Dardani, mirëpo ndërtimi i objektit ende nuk është finalizuar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)