Arbëri

Rahovecianët me peticion kundërshtojnë versionin aktual të autostradës së Dukagjinit

Mbi 7 mijë nënshkrime janë mbledhur nga qytetarët e Rahovecit, për ta kundërshtuar versionin aktual të autostradës së Dukagjinit, raporton KTV.

Sipas qytetarëve, me variantin të cilin e ka prezantuar Ministria e Infrastrukturës, po dëmtohet lumi Drini i Bardhë dhe është anashkaluar komuna, pasi që autostrada është 14 kilometra larg nga qyteti i Rahovecit.

Nga e enjtja, edhe banorët e fshatrave të Rahovecit do të mund ta nënshkruajnë peticionin për kundërshtimin e autostradës së Dukagjinit.

Nëse institucionet përgjegjëse nuk reagojnë për ta ndryshuar versionin aktual të autostradës, banorët e komunës së Rahovecit paralajmërojnë edhe protesta.

Ndërkaq, në Ministrinë e Infrastrukturës vazhdojnë të insistojnë se versioni aktual është më i favorshmi për Rahovecin.

Autostrada e Dukagjinit pritet të fillojë të ndërtohet këtë vit dhe lidh qytetin e Istogut, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin dhe Prizrenin.

Kostoja e kësaj autostrade do të jetë rreth 600 milion euro dhe do të shpronësohen rreth 623 hektarë tokë.