Inspektorati Komunal i Deçanit, në asistim të Policisë së Kosovës, ka nisur të hënën rrënimin e dhjetë lokaleve që gjenden në qendër të Deçanit, në anën e majtë të rrugës kryesore përballë objektit të Komunës.
Rrënimi i këtyre lokaleve, siç kanë sqaruar organet komunale, po bëhet më qëllim të zbatimit të Planit rregullues për qendrën e qytetit dhe zgjerimin e sheshit të qytetit. Lokalet, që kanë nisur të rrënohen, janë ndërtuar në tokë komunale në periudhën e paraluftës me leje të përkohshme, e pastaj ato leje, siç sqaron drejtori i Urbanizmit, Ramë Melaj, po të njëjtën periudhë i kanë bërë të përhershme, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, Komuna kishte vendosur që ato t’i shpronësojë, që ata pronarë të mos dalin duarthatë nga zbatimi i Planit rregullues të qendrës së Deçanit. Siç ka njoftuar të hënën Komuna e Deçanit, këto rrënime po bëhen në bazë të një vendimi preliminar, të sjellë më 31 korrik të vitit të kaluar nga kryetari i Komunës, për shpronësimin e këtyre lokaleve.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)