Shoqëria civile dhe pjesëtarë të opozitës në Gjakovë, kanë nisur protestën kundër shfuqizimit të parcelave dhe ndërtimeve shumëkatëshe në afërsi të Kullës “Sulejman Vokshi”.
Ndërkaq, kujtojmë se në orën 10:00 mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal, raporton Koha Ditore.
Dje, Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes një reagimi për media shprehu keqardhje për tentimin e tretë me radhë të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe disa anëtarëve të Asamblesë Komunale për të anuluar vendimin e mëhershëm të po të njëjtit institucion (të vitit 2015) që i garanton statusin e “zonës së veçantë e mbrojtur” zonës përreth Kullës së Sylejman Vokshit; monumentit të trashëgimisë kulturore - që mbetet simbol i vetëm i heroit kombëtar dhe njërit ndër prijësve të Lidhjes së Prizrenit.
Ditë më parë, Kryetarja dhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, dikur kryetare e Gjakovës, tha se tendenca e shfuqizimit të vendimit të interesit të veçantë për parcelat rreth Kullës është një krim që po i bëhet Komunës së Gjakovës nga ana e strukturës aktuale qeverisëse.