Gjilani rezulton të jetë Komuna ku më së paku janë realizuar zotimet për qeverisje të mirë që ia ka dhënë elektoratit kryetari i saj, Lutfi Haziri, në raport me gjashtë komunat e tjera që numërohen si më të mëdhatë në Kosovë, si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica dhe Ferizaj.
Ndërsa, kryetarët e dy komunave të tjera, Ferizajt dhe Mitrovicës, rezultojnë të kenë përmbushur pjesërisht zotimet e tyre dhënë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2017, shkruan sot Koha Ditore.
Këto rezultate janë dhënë në raportin më të fundit që ka nxjerrë të hënën organizata “Demokracia Plus”, me titull “Përmbushja e zotimeve elektorale të kryetarëve për qeverisje të mirë”, ku potencohet se gjatë fushatës elektorale për zgjedhje komunale 2017, kjo organizatë iu ka kërkuar kandidatëve për kryetarë të shtatë komunave që të zotohen formalisht se do t'iu përmbahen disa parimeve bazë të qeverisjes së mirë nëse zgjidhen për të udhëhequr Komunën.
Roberta Osmani, hulumtuese e lartë në “Demokracia Plus”, ka prezantuar raportin ku theksohet se kandidatët kanë nënshkruar gjashtë zotime, duke premtuar se do t’i përmbushin ato nëse bëhen kryetarët e ardhshëm të komunave ku po kandidonin, qëllimi i të cilave ka të bëjë me instalimin e një qeverisjeje komunale të hapur, transparente dhe llogaridhënëse për qytetarët dhe grupet e interesit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)