Alternativa akuzon Gjinin se po keqpërdor fëmijët për ta promovuar veten

Alternativa akuzon Gjinin se po keqpërdor fëmijët për ta promovuar veten

29 November 2018 19:12

Alternativa në Gjakovë ka akuzuar kryetarin e kësaj komune, Ardian Gjinin, se po keqpërdor fëmijët për të promovuar personalitetin e tij si kryetar.

Kjo akuzë erdhi pas pritjes që iu bë Gjinit në shkollën “Fehmi Agani” më datë 23 të muajit tetor, e që në bluzat e fëmijëve shihej portreti i kryetarit.

Image

“Fotot tregojnë se si përdoren fëmijët për promovimin individual dhe politik të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Koha.net ka provuar të kontaktoj kryetarin Gjini porse ai ka qenë i paqasshëm të enjten mbrëma.

Pas kësaj, pati reagim edhe nga Shkolla “Fehmi Agani”, ku përmes një sqarimi thonë se ata ndalojnë çdo iniciativë që ka qëllim politizimin e shkollës.

“Në lidhje me pretendimet e partisë “Alternativa”, të publikuar me datë 28.11.2018, se në ShFMU “Fehmi Agani”, bëhet politizim i nxënësve duke i shtyrë ata që të bartin bluza me fotografi të kryetarit të Gjakovës z. Ardian Gjini. Duam të sigurojmë nxënësit, prindërit dhe të gjithë qytetarët, të cilët janë të brengosur rreth kësaj çështjeje, se drejtoria e ShFMU “Fehmi Agani” në mënyrë strikte ndalon iniciativat që kanë për qëllim politizimin e shkollës. Në anën tjetër duam të theksojmë se në shkollën tonë promovohet fryma liberale dhe demokratike e vendimmarrjes, duke bërë kështu që zëri i secilit të dëgjohet dhe të ketë rolin e vet në vendimmarrje”, thuhet në sqarimin e drejtorisë së shkollës, transmeton Koha.net.

Në rastin konkret më 23.10.2018, thuhet në reagim, në ditën kur shkolla është vizituar nga kryetari Gjini, është respektuar vendimi i këshillit të arsimtarëve, i cili në koordinim me dëshirën e nxënësve ka organizuar pritjen duke bërë edhe përzgjedhjen e koreografisë dhe kostumeve, me qëllim që kryetarit të komunës t’i bëhet pritja e merituar.

“Zyra e kryetarit të komunës është një partner i rëndësishëm për shkollën tonë, dhe ne e vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga ky institucion, pa marrë parasysh përkatësinë politike. U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve potencial qe t’i ikin paragjykimeve dhe keqinterpretimeve, por të ofrojnë bashkëpunimin e tyre për të mirën përgjithshme dhe në këtë mënyrë do të marrin gjithmonë respektin e merituar nga shkolla jonë”, thuhet në fund të reagimit të SHFMU “Fehmi Agani”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme