Avonet: Drejtoria e Arsimit jotransparente

Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” nëpërmjet një komunikate për media, ka kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë të efektivitetit. Sipas “Avonet”-it, Drejtoria komunale e Arsimit po vazhdon me rritjen e numrit të të punësuarve, ndërkaq objektet shkollore janë në gjendje të rëndë teknike.
“Ne vazhdimisht jemi duke reaguar për performancë të dobët të qeverisjes lokale, ndërkaq Drejtoria e Arsimit ka pasur numër të madh të shpalljeve të konkurseve për mësimdhënës, ku “Avonet”-i, ka kërkuar të monitorojë intervistimet si atë me shkrim dhe me gojë, por i është lejuar të monitorojë. Madje Komuna e Ferizajt nuk i është përgjigjur as shkresave zyrtare me shkrim të OJQ-së sonë. Prandaj konsiderojmë se ky institucion duhet të jetë transparent dhe llogaridhënës para qytetarëve që rekrutimi të jetë i paanshëm, jodiskriminues, jopolitik, jofamiljar dhe përzgjedhja e mësimdhënësve përmes komisionit vlerësues të jetë real dhe i saktë”, thuhet në komunikatën e “Avonet”-it.
