Arbëri

PSD-ja kritikon PDK-në e LDK-në për keqqeverisje në Ferizaj

Partia Socialdemokrate sot ka hapur zyrat e reja në Ferizaj, e nga atje kanë kritikuar qeverisjen e Ferizajt nga LDK-ja e PDK-ja.

“Sot, në hapjen e zyrës në Ferizaj, kryetari Shpend Ahmeti, sekretari organizativ Naim Jakaj dhe koordinatori i degës Faton Topalli, kanë paraqitur para mbështetësve e simpatizuesve, nevojën për politika sociale dhe domosdoshmërinë për organizim demokratik, si projekt politik i së ardhmes drejt ndërtimit të një shoqëri të drejtë, zhvillimore dhe barazitare”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Tutje, PSD-ja thotë se Ferizaj i keqqeverisur herë nga LDK e herë nga PDK, vuan ende nga mungesa e nevojave ekzistenciale, si uji i pijshëm, kanalizimet dhe planifikimi i duhur hapësinor e urbanistik.

“Motivimi dhe gatishmëria për angazhim politik i shprehur sot nga ferizajasit shpërfaq besimin mbretërues në Partinë Socialdemokrate; si mundësi për ta ringjallur ekonominë, reformuar sistemin e drejtësisë dhe përmirësuar cilësinë e arsimit gjithëpërfshirës”, përfundon njoftimi nga PSD-ja.

Kryetar i Ferizajt është Agim Aliu që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, e ndërsa para tij ishte Muharrem Sfarqa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.