Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Një meshë me tango për Kosovën

Mësimi final i Yll Zhubit për sallatën, peshkun dhe shtetin

1.

I ndjeri Ilir Zhubi nga “Renesansa” ka pasur një ndjenjë të veçantë për sallatën- patjetër duhej të kishte limon e kopër në të, të tjerat-domatja e kastraveci, qepa e karota dhe çdo gjë tjetër që përfshihej- pastaj kombinoheshin. Kishte këtë ndjenjë edhe për troftën. Ajo duhej fërkuar dhe ndrydhur butësisht me një lloj masazhe për një kohë të caktuar (nuk tregonte kurrë sa) para se të hidhej në skarë. Dhe, kishte një version të tij të kutit matës për shtetin. Ai nuk mund të bëhej nëse nuk kishte opera; jo ushtri, sistem tatimor, gjykata e prokurori, por mu, saktësisht, opera. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndonëse nuk e thoshte, në interpretimin e tij apo në interpretimin tim të asaj që mendoj se mendonte, opera do të duhej të ishte përmbledhje e të gjithave, një lloj kurore, një lloj vule vërtetuese se ekziston shteti. Nëse shteti ka opera, atëherë rrjedhimisht i ka edhe të gjitha të tjerat - edhe ushtri, sistem tatimor, gjykata e prokurori e kështu me radhë.

Kishte një kundërthënie të ëmbël ironie pozicionimi i Ilir Zhubit; restorantet e tij ishin bërë me punëdore duke përdorur kalldrëm për muratim, dru jo shumë të sofistikuar përpunimi për tavolinë e karrige dhe me ndriçim që nuk do ta kalonte pragun e nevojshëm pamor për të qenë bodrum i ndonjë objekti. Peshku që kishte kaluar nëpër masazhe të kujdesshme para se të vihej në skarë disononte me enterierin. Megjithatë, ai ishte decidiv se Kosova nuk mund ta quante veten shtet pa opera.

2.

Më ra në mend Iliri të martën mbrëma në “Misa a Buenos Aires”, një pjesë e jashtëzakonshme muzikore e argjentinasit Martin Palmeri, që kombinon liturgjinë klasike katolike me tangon, një “Misa Tango”. 

“Misa Tango” u luajt në Prishtinë. Orkestra ishte nga Shqipëria, kori nga Kosova, bandoneonisti (harmonika e tangos) nga Portugalia, dirigjenti nga Spanja dhe mexosoprano ishte shqiptarja universale, ose universalja shqiptare, krejt njësoj,  Vikena Kamenica.

Ofruan më të mirën, një ndërveprim i inspiruar - sikur të kishin qenë së bashku me vite të tëra. 
Ishin në një sallë, përballë asaj të Kuqe të “Boro e Ramizit” ku zakonisht, gjatë Panairit të librit vendosen librat e botuesve që nuk kanë arritur të sigurojnë vend në Sallën e kuqe. 

Para se të fillonte koncerti, nga ana tjetër e murit dëgjoheshin zëra fjalësh të paartikuluara dhe gajasje; ishte bufeja e Teatrit Kombëtar. Bufeja e Teatrit Kombëtar duhej të ishte në një ndërtesë tjetër, në atë të Teatrit Kombëtar që gjendet në sheshin “Nënë Terezë”, por ka disa vjet, shumë vjet, që është bartur në “Boro e Ramiz”, së bashku me bufenë dhe gajasjen, duke pritur që dikur godina e teatrit të rinovohet e të bëhet sërish e përdorshme. 

Publiku i përkushtuar qëndronte me falënderim që kishte gjetur vend, i ulur në karrige që janë komode për një pushim pesëmbëdhjetëminutësh nga të qëndruarit në këmbë. Karriget e ngjitura shumë afër njëra-tjetrës duhej të kursenin sa më shumë hapësirë në mënyrë që në atë sallë, që nuk është e koncerteve, të futen të gjithë ata që duan të jenë në një koncert dhe duke i mbyllur sytë ndiejnë se janë në një të tillë.

A mund të mbahet një ngjarje e kësaj peshe në një sallë të këtillë? Mbahet. 
Pyetja e Ilirit do të merrte formën e një konstatimi pasues dhe qortues: sikur që po mbahet shteti pa Teatrin e Operës.

3.

“Mesha për Buenos Aires” apo “Misa Tango”, siç njihet, është vepër e jashtëzakonshme e Martin Palmierit. Është një dialog mes dy traditave të kundërta. Në njërën është liturgjia tradicionale katolike, në gjuhën latine. Në tjetrën është tango, muzika e lindur në lagjet e varfra të Buenos Airesit, në masë të madhe prej imigrantëve evropianë, kryesisht italianë, një muzikë që i ikën jo vetëm kanonit kishtar, por edhe atij të muzikës klasike. 

Ky është një dialog mes traditës së shenjtë kishtare dhe asaj të përditshmërisë së margjinave shoqërore. Ky është një dialog mes Evropës dhe Amerikës, mes dogmës dhe interpretimit të tij të lirë. Mes një epoke strikte të klasicizmit dhe lirisë inventive të shekullit XX. Dhe, në Prishtinë, një dialog mes muzikantëve nga vise të ndryshme të shqiptarisë e viseve të ndryshme evropiane.
Në këtë ngjarje dialoguesit, madje dialoguesit e kundërshtive arritën të krijonin një shprehje të përbashkët, atë Meshë të veçantë.

4.

Rastisi që “Misa Tango” jepej në të njëjtën natë kur në Kuvend të Kosovës fillonte seanca për të zgjedhur presidentin/en e Kosovës. “Misa Tango” përfundoi në një harmoni të plotë, një harmoni mbresëlënëse. Në një kontrast metaforik Kuvendi i Kosovës fillonte me pamje disharmonie; gati gjysma e deputetëve nuk ishte në sallë dhe nuk do të hynte në të; një disharmoni mbresëlënëse. 
Ilir Zhubi, duke na vëzhguar nga jeta tej kësaj do të konstatonte se kishte pasur të drejtë. Po të ishte ndërtuar Teatri i Operës (Salla koncertale, Teatri Kombëtar) para njëzet vjetësh , kjo do të thoshte se Kosova kishte gjetur harmoninë e vet për të ardhmen. Dhe të njëjtën do ta kishte manifestuar në Kuvend.

Apo, siç  përsëriste “... ndoshta kemi vullnet e talent për opera (a shtet), por ende na nevojitet edhe pak”.