Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Demush Qyrri për president

Po e ofroj edhe unë një kandidat për president. Jo se do ta zgjedhë kush. Po fikë se fikë, hajt ta vazhdojmë rrëfimin edhe një grimë

Gjithnjë kam menduar se Demush Qyrri është presidenti ideal i Kosovës.

Puna e tij si shofer është e tillë që shpesh i duhet të presë e të mos bëjë asgjë dhe, tash e shumë vjet, në ato çastet e pritjes, Demushi ka zhvilluar një shprehi të futjes së gishtit në hundë, ku ndonjëherë i ngjitet ndonjë qyrrë dhe pastaj ai, si pa vëmendje, e bën topth atë materie për ta flakur dikur tutje si një kliker të vogël. „Qy Demushi, po bën gugumona“, dëgjova të thoshte dikush dhe si linguist më bëri përshtypje që kemi krijuar fjalë edhe për topthat nga qyrrat, por jo për shumë koncepte të tjera të jetës së përditshme. Nejse, prej këtu edhe nofka Demush Qyrri.

E imagjinoj perfektësinë e Demush Qyrrit për president.

Ulet qaty në zyrë, si i durueshëm që është, dhe bën gugumona e bën gugumona duke shikuar tavanin. Vjen një delegacion. E hedh gugumonin si kliker. I lan duart (kjo është opsionale). Shkon i shtrëngon duart me mysafirët e mysafiret. Del në syret me një buzëqeshje të gjerë. Shkon delegacioni. E Presidenti Demush Qyrri vazhdon të bëjë gugumonin e radhës, edhe më të rrumbullakët, edhe më të njomur.

Pak a shumë, e tëra që duhet të ketë presidenti a presidentja e Kosovës janë dhëmbë të shëndoshë për buzëqeshjen në foto dhe, mundësisht, të mos i vijë era hudhër a, largqoftë, të mos pordhë në ato takimet zyrtare.

Demush Qyrri e ka buzëqeshjen, meritë e vëllait të tij më të madh. Kur Demushi ende nuk kishte qenë bash, bash qyrr, si fëmijë në fshat, ishte mahnitur kur i vëllai i tij student, nja 7 a 8 vjet më i madh, kishte ardhur nga qyteti një uikend dhe kishte shkuar në banjo. Kishte vënë njëfarë furrçe në gojë dhe po shkumonte dhëmbët e buzët.

“Çka po bon kështu?” – kishte pyetur Demushi i traumatizuar.

“I lava dhëmbët. Edhe ti duhet të mësohesh t’i lash dhëmbët. A po e sheh si të janë bërë sari si limoni?” – ia kishte kthyer i vëllai.

Të nesërmen, Demushi kishte marrë furçën dhe i kishte larë dhëmbët. Miiiiirë. I kishte bërë vizëllimë, siç do të zgjedhte fjalën vetë ai për ta përshkruar veprimin. Kishte shkuar afër vëllait, duke e mbajtur një buzëqeshje të vizatuar. Vëllai dikur e kishte pyetur se ç’kishte kështu që po sillej me dhëmbët përjashta.

“I kam larë edhe unë”, kishte thënë Demushi.

“Me çka i ke larë?”

“Me furrçë, de”.

“Me cilën furrçë?” – kishte pyetur vëllai.

“Me furrçën tonë”.

Demushi nuk ha hudhër. Sa kam ndejtur me të, mund të bëj be, as edhe një herë të vetme nuk ka lëshuar gazra, pos nëse i ka pa zë e pa aromë. Ai i përmbush bindshëm kriteret kryesore dhe më të rëndësishme për të qenë president.

Nuk e di nëse do ta pranonte postin fundja. Kosova do të mbetej pa një shofer të mirë.

Pushtetet reale të presidentit të Kosovës, sipas Kushtetutës, janë të pakta: e përfaqëson shtetin, duke dalë në syret, i dekreton ligjet, i dekoron njerëzit, fal ndonjë të burgosur në ndonjë ditë feste e që është pushteti më i madh dhe emëron disa zyrtarë. Ndonjë ligj që s’i pëlqen mund ta kthejë, por vetëm një herë. Herën e dytë do ta nënshkruajë patjetër.

Demush Qyrri gjysmën e këtyre punëve do t’i kryente edhe pa e lëshuar gugumonin nga dora. E megjithatë, qe sa e sa kohë jemi duke folur për zgjedhjen e presidentit, sepse nuk po mund ta gjejmë një person të përshtatshëm për postin. Arsyeja nuk është posti. Posti është më i parëndësishmi funksionalisht, por është i vetmi që kur mbetet bosh, e merr Kuvendin me vete. Prandaj, nuk është grindja se kush do të buzëqeshë në syret në intermexo të gugumonave. Grindja është për ato tetëdhjetë vota, se presidenti është vetëm çmimi që i ngjitet pazarit.    

Si pasojë, me gjasë, do të kemi zgjedhje të reja e me rezultate të vjetra.

Me fjalë të tjera: Me na falë Demush Qyrri!