Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Demarkacioni 2.0

Në gjuhë angleze është një shprehje përkthimi i së cilës nuk i bën nder – “when in hole, stop digging”. Me sjelljen emocionale dhe të paarsyeshme me ligjin për ndryshimin e Dhomave të Specializuara Kosova ka futur përsëri veten në një gropë

Në vitin 2016 Kosova kishte një mundësi të artë para vetes. Që nga shpallja e pavarësisë Kosova ishte i vetmi vend i cili nuk gëzonte liberalizimin e vizave me BE-në. Në vitin 2016 para nesh u paraqit një mundësi e artë. Liberalizimi i vizave për Kosovën u fut në një pako politike me liberalizimin e vizave me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Kjo rriti ndjeshëm gjasat për liberalizimin tonë të vizave pasi brenda BE-së ekzistonte një apetit politik për avancimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për arsye gjeopolitike të ndërlidhura me Rusinë.

Sidoqoftë, për të përfituar nga kjo mundësi e artë nga Kosova u kërkua të zbatojë një gjë të cilën e kishte marrë përsipër që në krye të herës kur kishte nisur procesi i liberalizimit të vizave – ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Pra, kërkesa për ratifikimin e demarkacionit ishte një kërkesë për të cilën Kosova kishte rënë dakord në momentin kur kishte pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në vitin 2012. Thënë ndryshe ishte një zotim të cilin Kosova kishte marrë përsipër në skenën ndërkombëtare. 

Fast forward dhe të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Ukraina dhe Gjeorgjia fituan liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova e futi veten në një rrugë qorre të një diskutimi pseudo-patriotik dhe i ofroi botës një masterpiece të dështimit të dyfishtë - humbi edhe demarkacionin, edhe liberalizimin e vizave. Faturën e kësaj miopie strategjike të elitës politike do ta paguajnë qytetarët e Kosovës duke ngelur qytetarët më të izoluar të Evropës edhe për gati dhjetë vjet të tjera. Me kalimin e kohës ky dështim i elitës sonë politike nuk do t’i ndalojë ata që të akuzojnë Evropën për “tradhti” dhe “mashtrim”. 

Thonë se historia nuk përsëritet, por rimon – dhe kësisoj më duket jemi në vigjilje të një tjetër “demarkacioni”. Sikur demarkacioni me Malin e Zi, themelimi i Gjykatës Speciale është një zotim të cilin Kosova e ka marrë përsipër në skenën ndërkombëtare. Në kuadër të Marrëveshjes Stabilizim Asocimi (MSA) Kosova është zotuar se “krimet më të rënda që shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare në tërësi nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar dhe se ndjekja penale e këtyre krimeve duhet të sigurohet duke marrë masa në nivel vendor dhe ndërkombëtar”. Në këtë drejtim, Kosova është zotuar se do “të bashkëpunojë plotësisht me Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si dhe me të gjitha hetimet dhe ndjekjet penale të tjera të kryera nën kujdesin ndërkombëtar”. 

Ky zotim i Kosovës në kuadër të marrëveshjes së saj më të rëndësishme politike dhe juridike ndërkombëtare është operacionalizuar përmes shkëmbimit të letrave ndërmjet presidentes së Kosovës dhe përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë çdo dokument i rëndësishëm politik i BE-së ia ka kujtuar Kosovës rëndësinë e bashkëpunimit me Dhomat e Specializuara. Për shembull konkluzionet e fundit të presidencës së Këshillit të BE-së për zgjerimin kërkojnë nga Kosova që të “mbështes pa kushte punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special”. 

Pra, është e qartë që obligimi i Kosovës të sigurojë punën e papenguar të Dhomave të Specializuara në Hagë është i çimentuar në instrumentet juridike ndërkombëtare dhe deklaratat politike evropiane. Tani këto ditë në mënyrë unilaterale Kosova ka filluar të minojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe të shkelë detyrimet e veta ndërkombëtare. 

Gjuha e BE-së ndaj kësaj sjelljeje të Kosovës ka filluar të ashpërsohet gradualisht. Fillimisht, zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se ligji i miratuar nga Kosova shkon në “kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”. Pas kësaj, komisionerja për Zgjerim, znj. Marta Kos, ka thënë se miratimi i ligjit “shkon në kundërshtim me zotimet themelore të Kosovës ndaj BE-së.” Ajo e cilësoi këtë sjellje të Kosovës si të “papranueshme”.

Pra, shumë shpejt BE-ja e ka bërë të qartë se ligji si i tillë është i papranueshëm. Thënë ndryshe ligji është shpallur i vdekur, tani vetëm duhet të dakordohemi për ceremoninë e varrimit të tij. Në këtë sens është lehtë e imagjinueshme që përderisa ne flasim sot në prapaskenë politike janë duke u zhvilluar përpjekjet intensive diplomatike për ceremoninë e varrimit të ligjit. Këto janë duke u zhvilluar në prapaskenë sepse BE-ja dhe miqtë tanë perëndimorë nuk dëshirojnë të na poshtërojnë publikisht. 

E gjithë kjo po ndodh në një sfond kur Kosova është duke kërkuar nga BE-ja marrjen e statusit të vendit kandidat dhe pranimin në Këshillin e Evropës. Pra, me një anë ne kërkojmë nga BE-ja avancimin e statusit tonë integrues, ndërsa në anën tjetër jemi duke ndërmarrë shkelje të rëndë të obligimeve tona themelore ndaj BE-së.

Në gjuhë angleze është një shprehje përkthimi i së cilës nuk i bën nder – “when in hole, stop digging”. Me sjelljen emocionale dhe të paarsyeshme me ligjin për ndryshimin e Dhomave të Specializuara Kosova ka futur veten në një gropë. Tani është mirë që të mos gropojmë më tutje dhe të bëjmë përpjekje të dalim nga kjo gropë. Kosova duhet të bëjë çdo gjë që të ndihmojë procesin e apelit për ish-liderët e UÇK-së, por ajo nuk do t’i ndihmojë as vetes, as atyre, duke u bërë dele e zeze e komunitetit ndërkombëtar. 

Në vitin 2016 Kosova ka qenë në udhëkryq ndërmjet liberalizimit të vizave dhe demarkacionit – me sjelljen tonë emocionale dhe të paarsyeshme i humbëm të dyja. Sot Kosova është në udhëkryq ndërmjet gjërave siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe marrja e statusit të vendit kandidat, dhe në anën tjetër betejës së paarsyeshme dhe emocionale me Gjykatën Speciale. Po vazhduam këtë kurs do t’i humbasim përsëri të dyja – sikur në rastin e demarkacionit. Dhe sikur atëherë tragjedia është se faturën do ta paguajnë qytetarët e Kosovës.